
TIRANË- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë ka zbuluar se asnjë person nuk ka rezultuar i prekur nga gripi i shpendëve që tashmë është "rizbuluar" në vendin tonë. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka analizuar 90 mostra zyrtare, ndërsa kampionet e marra në njerëz pranë fermave kanë rezultuar negative. Ndaj sipas Ministrisë, situata e gripit të shpendëve është nën monitorim dhe kontroll.
DEKLARATA ZYRTARE:
Nga data 30 tetor deri në 3 nëntor 2024, në ISUV kanë mbërritur dhe janë analizuar 90 mostra zyrtare, të cilët janë testuar me metodën e akredituar dhe të avancuar molekulare RT-PCR. Kampionet në njerëz të marra janë testuar nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe kanë rezultuar negative”, thekson njoftimi i institucionit. Vatra e gripit të shpendëve (H5N1) u zbulua fillimisht më 2 nëntor në fshatin Mëzez, në Tiranë.
Me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë u ndalua lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz.
Përgjatë fundjavës, në datat 30 tetor – 3 nëntor 2024, grupe ditore me përbërje të shtatë veterinerëve zyrtarë të shërbimit dhe kontrollit, janë angazhuar në terren, sipas përcaktimeve të perimetrit të zonës së mbrojtjes dhe mbikëqyrjes për: inventarizimin dhe monitorimin klinik të 2 mijë e 304 fermave, në të cilat mbarështohen 96 mijë e 900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme.
Në një postim në faqen zyrtare të Ministrisë bëhet e ditur se përgjatë javës së fundit janë angazhuar në terren grupe ditore me 7 veterinerë për monitorimin e 2304 fermave, në të cilat mbarështohen 96 900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme. Kontrollet vijnë pasi disa ditë më parë u lajmëruar se në vend, ishte konstatuar një vatër në fshatin Mëzez në Tiranë./ZËRI