Aktualitet

Mbyllet dosja! Meta kërkon llogarri: Kompania e SHBA, kujt ia dërgonte faturat? Avokati: Akuzat ranë poshtë

Meta ka kërkuar hetim të plotë për origjinën e pagesave të lobimit.

F.I
Mbyllet dosja! Meta kërkon llogarri: Kompania e SHBA, kujt ia dërgonte
Ilir Meta

TIRANË-Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është njohur sot me akuzat dhe me mbylljen e hetimeve ndaj tij. Meta, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit që prej 21 tetorit 2024, u paraqit në ambientet e SPAK-ut, së bashku me avokatin e tij, Kujtim Cakrani.

Ky i fundit deklaroi për mediat se Metës i është komunikuar zyrtarisht aktakuza lidhur me çështjet CEZ-DIA dhe lobimin në emër të ish-LSI-së. Ai theksoi se kjo procedurë nuk ka sjellë elementë të rinj dhe se mbrojtja vazhdon të kërkojë hetim të plotë për origjinën e pagesave të lobimit.

"Nuk ka asnjë zhvillim të ri. Zoti Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe ka kërkuar që të zbardhet se kush ka kryer pagesat për lobimin në emër të LSI-së. Deri më tani, prokuroria nuk ka ofruar asnjë informacion për këtë çështje. Janë afro 60 mijë faqe materiale që provojnë se zoti Meta nuk ka pasuri të pajustifikuar dhe nuk ka përfituar nga ndonjë akt korruptiv. Verifikimet janë bërë edhe në institucione financiare të vendeve të BE-së dhe nuk është konstatuar asnjë shkelje. Ne duam të dimë kush i bëri pagesat dhe kush i mori faturat. Ish-Presidenti nuk ka pasuri të vendosur nga korrupsioni. Mali i madh i akuzave të ngritura ndaj Ilir Metës, sot ka rezultuar zero,"-u shpreh avokati.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pasi SPAK mbylli hetimet ndaj tij, duke e cilësuar të gjithë procesin si një fabrikim politik që kishte nisur që në dhjetor të vitit 2019. Meta njofton se ka kërkuar që të hetohej se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së ndaj kompanive në SHBA, si dhe se kujt i janë dërguar për miratim faturat nga kompania amerikane GSIS në Partinë e Lirisë.

"Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019. Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut. Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS. Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh,"-shkruan Ilir Meta.

Më herët, SPAK i ka komunikuar akuzat ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, dhe ish-kreut të AKEP-it, Pirro Xhixho. Ndërkohë, vetë Meta, në një reagim në Facebook disa ditë më parë, është shprehur se ndaj tij ka zero prova dhe fakte.

Komunikimi i akuzave për Ilir Metën ishte parashikuar të bëhej më 29 korrik, por sipas ish-presidentit, lajmërimi i tij u bë në minutat e fundit. Në një status në Facebook, Meta sqaroi se ishte lajmëruar nga gardianët e burgut se duhej të paraqitej në SPAK për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve, por për shkak të mungesës së avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili ndodhej jashtë vendit, seanca u shty dhe u caktua për të hënën.

Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB