TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për dosjen e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Kështu që në SPAK ka nisur paraqitja e të pandehurve që janë thirrur për t’u njohur me përfundimin e hetimeve. Sot i është komunikuar akuza të pandehurve: Ema Çokut, Fatime Kryemadhit dhe Pirro Xhixhos. Ndërkohë që Monika Kryemadhi do të paraqitet nesër në 13:00.
Ndërsa për ish-presidentin Ilir Meta ende nuk dihet ende kur do t’i komunikohet mbyllja e hetimeve. Edhe avokati i tij, Kujtim Cakrani, deri më tani nuk ka dijeni dhe njoftim nga SPAK.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI