
EKUADOR- 15 të pandehurit për çështjen "Pampa" kanë dalë para Gjykatës, pasi akuzohen se kanë krijuar një rrjet kriminal të lidhur me mafian shqiptare.
Sipas mediave vendase, seanca zhvillohet në Kompleksin Gjyqësor të Kuitos dhe përfaqëson fazën përfundimtare të çështjes Pampa. Grupi dërgonte sasi të mëdha droge nga Porti Detar i Guayaquil për në Evropë, duke e fshehur lëndën narkotike në kontejnerë mallrash. Hetimi filloi me disa operacionet që u zhvilluan në shkurt 2024, nga të cilat u arrestuan 30 persona dhe u sekuestruan rreth 2 milionë dollarë e 450 mijë euro para "cash". Mes të akuzuarve janë persona fizikë dhe juridikë (tetë kompani), që dyshohet se drejtohen nga shqiptari Dritan Gjika dhe nga Mario Sánchez Rinaldi, me shtetësi argjentinase.
Sipas Prokurorisë, rrjeti nuk i dedikohej vetëm trafikut të drogës, por përdorte edhe kompanitë eksportuese të bananeve për të pastruar pasuritë e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm. Nga hetimet u zbulua se grupi kishte bërë të paktën 11 dërgesa droge në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë, duke kamufluar kokainën në kontejnerët me fruta tropikale. Dritan Gjika dhe Sánchez Rinaldi, konsiderohen si drejtues të organizatës, të cilët merreshin me koordinimin e logjistikës dhe dërgesave nga Ekuadori në Evropë, duke përdorur kontakte strategjike në të dy kontinentet.
Prokuroria ka raporte monitorimi, komunikime të koduara nga platforma "SkyECC" dhe të dhëna financiare si pjesë të provave që mbështesin akuzën. Dritan Gjika, i shpallur në kërkim si kreu i mafias shqiptare që operon në Ekuador, akuzohet se bashkë me 4 persona, Mario S, Carina E, Carlos G dhe Pablo H, kanë bashkëpunuar për pastrimin e mbi 31 milionë dollarëve të ardhura nga trafiku i drogës. Shtatë kompani apo persona juridikë janë gjithashtu në proces. Ndaj tyre gjyqtari ka urdhëruar ndalim parandalues, sekuestrim të pasurisë dhe bllokimin e llogarive. Ai ka urdhëruar policinë që ta lokalizojë dhe t’i kapë të akuzuarit, raportojnë mediat në Ekuador.
Më 7 shkurt, Policia Kombëtare, së bashku me Prokurorinë, arrestuan Julio L., Jonnathan L., Bryan L., Javier C. dhe Teresa P. si rezultat i operacionit “Pampa”, i cili u zhvillua në disa qytete të Ekuadorit dhe gjithashtu në Spanjë.
Sipas Prokurorisë, përmes informacioneve konfidenciale u mësua se në Guayas, ndodhej një kompani transporti e dedikuar për transferimin e parave dhe substancave të paligjshme përmes kamionëve. Për më tepër, në Guayas, Los Ríos, Cotopaxi dhe Santa Elena, vepronte një organizatë kriminale e dedikuar për pastrimin e parave të trafikut të drogës, e drejtuar nga Dritan Gjika dhe qytetarë të tjerë.
Për këtë u krijuan disa kompani të dedikuara për eksportin e produkteve bujqësore (kryesisht banane), blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, prodhimin e mishit dhe kanabisit. Këta shtetas kanë përfituar pasuri të ndryshme si automjete të nivelit të lartë dhe pasuri të paluajtshme si toka, shtëpi, zyra, magazina dhe parkingje në katër provinca të vendit, sipas hetimit tatimor, raportojnë mediat vendase.
Ndaj Gjikës dhe personave të tjerë në kërkim, gjykata ka caktuar sekuestrim të pasurive dhe llogarive bankare që kanë në Ekuador. Më 7 shkurt, Policia Kombëtare, së bashku me Prokurorinë, arrestuan Julio L., Jonnathan L., Bryan L., Javier C. dhe Teresa P. si rezultat i operacionit “Pampa”, i cili u zhvillua në disa qytete të Ekuadorit dhe gjithashtu në Spanjë. Shtetasit nën hetim dyshohet se kanë përfituar pasuri të ndryshme si automjete të shtrenjta, banesa luksoze apo sipërfaqe toke nëpërmjet të ardhurave nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Ndërkohë Dritan Gjika, në Ekuador rezulton në kërkim, pasi Policia zbuloi pjesëmarrjen e tij të dyshuar në trafikun e kokainës nga Kolumbia në Ekuador, me destinacion përfundimtar Evropën. Gjithsesi kjo nuk e pengoi Gjikën që së fundmi të shiste një nga kompanitë e tij, pavarësisht ndalimit gjyqësor./ZËRI