TIRANË- Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për shtimin e masave të sigurisë për ish-kreun e kësaj strukture, Altin Dumani.
Kërkesa është paraqitur më herët nga Braho, pasi është pretenduar se ka një presion në rritje ndaj Dumanit, në lidhje me disa hetime të rëndësishme që mbajnë firmën e tij gjatë kohës kur drejtonte SPAK-un. Po ashtu, masa mbrojtjeje janë miratuar edhe për disa prokurorë dhe gjyqtarë të tjerë të posaçëm, përfshirë:
1. Dritan Prençi
2. Doloreza Musabelliu
3. Irena Gjoka
4.Adnan Xholi
5.Vladimir Mara
Prokurori Dritan Prençi po heton zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ka kërkuar ndaj saj masa sigurie. Doloreza Musabelliu është pjesë e hetimeve të rëndësishme të SPAK për dosjen “Plumbi i Artë”.
Gjyqtarja Irena Gjoka është e angazhuar në shqyrtimin e dosjes “Partizani”, ku përfshihen ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Ndërkohë, Adnan Xholi ka hetuar çështje të rënda të krimit të organizuar dhe ngjarje që kanë tronditur vendin, përfshirë rrëmbimin e dy biznesmenëve në Gjirokastër dhe masakrat e vitit 1997. Vladimir Mara aktualisht drejton në SPAK seksionin kundër krimit të organizuar.
Shtimi i masave të sigurisë lidhet me ndjeshmërinë e lartë të çështjeve që këta prokurorë kanë në hetim dhe shqyrtim, si dhe me nevojën për garantimin e pavarësisë dhe sigurisë së tyre në ushtrimin e detyrës./ZËRI