TIRANË- Personi që shihni në foto është 63-vjeçari Sefedin Ahmetaj, pronar i dyqanit të elektroshtëpiakeve “Zanusi”, i cili është arrestuar nga Policia e Tiranës në lidhje me një ngjarje të regjistruar pikërisht brenda biznesit të tij, tek zona e ish-Doganës.
Bëhet fjalë për ngjarjen e raportuar pak më herët, ku një kliente është mbajtur mbyllur dhe dhunuar brenda një dyqani.
Ngjarja dyshohet se ka nisur pasi klientja është paraqitur në dyqan me pretendimin se frigoriferi banak që kishte blerë nuk funksiononte dhe ka kërkuar rimbursimin e shumës së paguar. Kërkesa e saj është kundërshtuar nga pronari dhe avokatja, ndërsa situata dyshohet se ka degraduar deri në mbajtjen e saj kundër vullnetit brenda ambienteve të biznesit për rreth 2 orë, si dhe në ushtrim dhune ndaj saj.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen, së bashku me Ahmetajn është arrestuar edhe avokatja e tij, Edjola Harunaj. Kjo e fundit, dyshohet se e ka djegur efektivin në dorë me cigare gjatë konfliktit.
Kjo pasi, gjatë ndërhyrjes së Policisë së Tiranës, situata është përshkallëzuar edhe me efektivët, ku pronari dhe avokatja dyshohet se kanë kundërshtuar me forcë policinë. /ZËRI
