
TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, për një masë më të lehtë sigurie. Edhe pse Berberi kërkoi një masë më të lehtë sigurie, Apeli ka lënë në fuqi atë të "arrestit me burg".
Berberi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre, e cila nuk është arrestuar për shkak se është nënë e një fëmije të mitur. Skema për përvetësimin e parave është bërë nëpërmjet dy kompanive “Net Group” dhe “Daam”.
Kompanitë u blenë dhe u shitën mes 4 të përfshirëve në dosje, madje dhe nga vetë Berberi, i cili më pas, shpallte fituese kompanitë e tij në disa tendera publikë të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shuma e përvetësuar u përllogarit 2.3 milionë euro. Por, po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Berberit u gjetën piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve./ZËRI