TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për shuarjen e masës sigurimit. Vendimi u dha nga apeli i posaçëm që e hodhi poshtë si të pabazuar kërkesën e Metës për ndryshim mase.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 14.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 256 akti, datë 04.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit I.M., me objekt: “Ankim kundër vendimit Nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shuarjen e masës së sigurimit personal të “arrestit në burg” për të pandehurin I.M.” dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, me datë 14.11.2025″-thuhet në vendim.
SPAK mbylli hetimet për Kryemadhin dhe Metën më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI