Aktualitet

'Kafazi' dhe seancat publike! DEBATI- A duhet të transmetohen 'live' gjyqet e zyrtarëve të lartë?

Dumani u shpreh se nuk kishin kundërshtime për seancat live, por kërkoi që të mbroheshin dëshmitarët. 

F.I
'Kafazi' dhe seancat publike! DEBATI- A duhet të transmetohen
Ilir Meta, Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj

TIRANË-'Kafazi prej xhami dhe seanca live'- këto janë kërkesat e fundit nga figura të politikës shqiptare, ndodhur në qeli apo në arrati, çështjet e të cilëve po shqyrtohen në seancat në Gjykatën e Posaçme. Lidhur me këto kërkesa një debat është hapur në drejtësi, me qëndrime të ndryshme. Duket se gjithçka filloi pas pranimit pjesërisht të kërkesës së ish-presidentit Ilir Meta, i cili u shfaq nga seanca e parë e gjyqit në themel ndaj tij në GJKKO.

KËRKESAT

Meta iu drejtua GJKKO-së me një kërkesë publike për transmetuar 'live' të gjitha seancat e procesit gjyqësor ndaj tij. Në kërkesën e tij, ish-presidenti arsyetoi se transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik. Kamerat u lejuan vetën në momentet para hapjes së seancës.

Po ashtu kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar të mos mbahet në kafaz xhami gjatë seancës gjyqësore, por kërkesa e tij u rrëzua. Po të njëjtat kërkesa janë bërë edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ish-ministri Ilir Beqaj dhe së fundmi ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

Veliaj kishte kërkuar që seancat gjyqësore të transmetoheshin live, me argumentin se publiku duhet të ndjekë në kohë reale ecurinë e procesit. Megjithatë, kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata. Kërkesa që të mos jetë në kafazin e xhamit gjatë seancës, po ashtu u rrëzua për kryebashkiakun Veliaj.

“Të transmetohet live seanca. Publiku ta shohë procesin”, -kështu u shpreh edhe avokati i zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Henrik Ligori në seancën e radhës të dosjes “Buka".

Për mbrojtësit e të akuzuarve, ky është një cënim i rëndë.

ARSYETIMET NGA DREJTËSIA

Ndryshe nga më sipër, GJKKO vendosi të thotë 'PO' për ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj. Treshja e gjyqtarëve, Rudina Palloi, Irena Gjoka dhe Erion Çela vlerësoi se, për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrësve, faktit që ka vetëm një të pandehur, sjelljes së të pandehurit, si dhe faktit që në këtë proces (Sterilizimin) nuk ka masë “arrest me burg”, Ilir Beqaj mund të qëndrojë jashtë kafazit pranë avokatëve të tij në sallë.

Një arsyetim e dha edhe prokurori Altin Dumani në seancën e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj. Dumani u shpreh se nuk kishin kundërshtime për seancat live, por kërkoi që të mbroheshin dëshmitarët. 

“Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha Dumani.

E njëjta linjë u mbajt nga prokurorët në seancën gjyqësore të Ilir Metës. Prokurori kërkoi që dëshmitarët të mos ishin të pranishëm në sallë gjatë gjykimit.

Por çfarë thotë LIGJI për seancat publike dhe kur ndalohen ato:

Në nenin 339 të Kodit të Procedurës Penale thuhet se seanca gjyqësore është publike, përndryshe quhet e pavlefshme.

Neni 340 përcakton në mënyrë taksative rastet e vetme kur mund të bëhet përjashtim nga parimi i publicitetit: mbrojtja e moralit, sekretet shtetërore, siguria e dëshmitarëve, rendi i seancës, prania e të miturve ndër të pandehurit.

'Kafazi' dhe seancat publike! DEBATI- A duhet të transmetohen

Teksa në vendin tonë juristët janë të dyzuar mbi seancat publike, në Holandë, konkretisht Gjykata Speciale e vendosur në Hagë, proceset gjyqësore transmetohen live, sidomos ndaj atyre me një interes të lartë publik, siç është procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Një shembull tjetër: SHBA, ku të pandehurit paraqiten krah mbrojtjes së tyre. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, publiku dhe media kanë të drejtë të ndjekin proceset gjyqësore për të garantuar transparencë dhe besim te sistemi. Australia po ashtu zbaton parimin 'drejtësi e hapur'. Hyrja në sallë është e lirë për publikun, por raportimi mund të ketë kufizime ligjore në raste të caktuara.

Avokati Ledio Braho në në postim në rrjetet sociale, shprehet pro seacave publike dhe daljes nga 'kafazi'. Sipas tij askush nuk duhet të gjykohet në kafaz dhe jep shembull proceset gjyqësore në SHBA. 

POSTIMI I LEDIO BRAHO:

Debati i fundit ne drejtesi eshte ai i "kafazeve" dhe transmetimit live te seancave gjyqesore penale. Nga kjo e hene u ndane juristet dhe gazetaret ne dy fronte - njeri front mbron idene e sigurise sa i perket kafazeve dhe ate te mosshnderrimit te proceseve gjyqesore ne cirk sa i perket transmetimit live - nderkohe qe fronti tjeter mbron parimin e procesit te rregullt ligjor dhe prezumimit te pafajesise sa i perket kafazeve, por dhe transparences ne dhenien e drejtesise per transmetimin e seancave live.

Personalisht per te paren jam i idese qe askush te mos gjykohet ne kafaz dhe shembulli me i mire eshte ai i SHBA, kur cdo i pandehur (perfshire ketu edhe ata qe gjykohen per krimet me makabre) paraqitet ne gjykate ne krah te avokatit dhe pothuajse gjithmone i veshur me veshjen me te mire ne menyre qe mos te jete i paragjykuar nga pamja e jashtme. Nuk besoj se Shqiperia e ka te pamundur te siguroje sallat e gjykimit per te parandaluar arratisjen e te pandehurve, fundja nese e ka te pamundur, ta mundesoje, se ky eshte roli i shtetit, qe te garantoje sigurine publike pa cenuar parimin e prezumimit te pafajesise.

Ne lidhje me transmetimin e seancave live, besoj se se cdo profesionist i te drejtes qe vertete eshte profesionist, nuk duhet ti trembet seancave publike kur kerkohet nga palet. Sa i perket momenteve procedurale te deshmive apo bashkepunetoreve te drejtesise eshte krejtesisht legjitime qe te vleresohen rast pas rasti nga gjykata pasi te merret mendimi i paleve.
Megjithate, pyetja qe shume ngriten nga dje ishte se pse ky debat dhe keto te drejta kerkohen tani qe po gjykohen politikane te nivelit te larte?! Po asgje te keqe nuk ka qe standardi te vihet tani per ta dhe me tej te perfitojne edhe ata qe nuk e ushtrojne dot presionin publik si "kokat" e politikes shqiptare, mbase kjo mund te jete nder betejat e pakta qe eshte iniciuar nga politika dhe me tej ka perfituar shoqeria...

Poll

MOS HUMB