GJIROKASTËR-As institucionet e Gjirokastrës nuk kanë shpëtuar nga alarmi për vendosje eksplozivi. Në adresën elektronike të gjykatës së Gjirokastrës ishte dërguar një mesazh ku pretendohej se në ndërtesë ishte vendosur një bombë.
Pas njoftimit, në institucion mbërritën forca të shumta policie, të cilat evakuuan personelin. Ndërkohë, njësia antieksploziv kreu kontrolle në të gjithë godinën, por në përfundim rezultoi se bëhej fjalë për një alarm të rremë.
Në të njëjtën godinë zhvillon veprimtarinë edhe Prokuroria e Gjirokastrës. Organet hetimore kanë nisur punën për të identifikuar personat që dërguan emailin kërcënues.
Gjatë ditës së sotme një e-mail me përmbajtje kërcënuese u është dërguar rreth 150 adresave elektronike të institucioneve në Shqipëri. Sipas burimeve, e-maili është dërguar nga Kolumbia, nga Unitropico, Universiteti Ndërkombëtar i Tropikut Amerikan, një universitet publik në Yopal. Fatmirësisht nuk u evidentua asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese./ZËRI