SARANDË- Pika Kufitare e Qafë Botës dhe Terminali i Trageteve në Portin e Sarandës kanë regjistruar një fluks rekord udhëtarësh dhe automjetesh gjatë muajit korrik, duke konfirmuar kulmin e sezonit turistik në jug të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit korrik nëpërmjet këtyre dy pikave kufitare kanë qarkulluar gjithsej 138,189 pasagjerë. Prej tyre, 67,128 kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 71,061 kanë dalë nga territori shqiptar. Edhe lëvizja e automjeteve ka qenë e konsiderueshme. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 18,640 automjete në hyrje dhe 19,642 në dalje, duke reflektuar intensitetin e lartë të qarkullimit në kulmin e sezonit veror.
Autoritetet bëjnë me dije se gjatë gjithë muajit korrik, PKK Qafë Botë dhe Terminali i Trageteve në Portin e Sarandës kanë funksionuar me kapacitet të plotë. Në bashkëpunim me strukturat përkatëse dhe agjencitë private, është bërë e mundur përballimi i fluksit të lartë të udhëtarëve, pa regjistruar vonesa apo problematika të theksuara në procedurat e kontrollit kufitar./ZËRI