Aktualitet

“Ju marrin lekët nga telefoni”-Braçe publikon skemën: Joana, personi 'kyç' i piramidave online

Sipas videos, paratë po merren direkt nga llogaritë bankare në platforma si Binance, dhe më pas transferohen në destinacione të dyshimta si XUEX.

F.I
“Ju marrin lekët nga telefoni”-Braçe publikon
pamje nga video

TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka publikuar së fundmi një video që tregon se si qytetarët në disa qytete, përfshirë Divjakë, Lushnjë, Fier, Gramsh dhe Lezhë, po vidhen përmes piramidave online XEUX dhe TXEX. Sipas videos, paratë po merren direkt nga llogaritë bankare në platforma si Binance, dhe më pas transferohen në destinacione të dyshimta si XUEX.

Deputeti thekson se një nga vajzat në video është e ashtuquajtuara Joana, personi kyç që ka drejtuar trajnime me agjentët që rekrutonin njerëz e grumbullonin paratë për piramidën. 

Në dosjen e Prokurorisë, Joana përmendet edhe nga të arrestuarit e operacionit lidhur me skemën e mashtrimit të firmave piramidale.  Arbër Çela thotë në dëshminë e tij se Joana ishte personi që e mësoi se si të investonte në platformën Xuex.

"Unë kam investuar vetëm në platformën Xuex, në Txex jo dhe më ka sugjeruar nipi im Veiz Cani i cili jeton jashtë shtetit. Të gjitha ti mëson vet Joana dhe profesor Smith. Dua të them se të gjitha procedurat unë i kam mësuar nga grupi ku i dërgonin Joana dhe Leo Smith, me video. Unë kam bërë 2300 dollarë investim në fillim dhe se kjo është shuma që unë kam investuar vetëm 2300 dollarë",- ka thënë para hetuesve 38-vjeçari.

Flavio Mukaj, i cili po ashtu u arrestua më 14 shtator, ka treguar se në aplikacionin Telegram, Joana, krahas të ashtuquajturit Leo Smith, ishte personi kryesor që udhëzonte qytetarët e përfshirë në skemë.

"Në aplikacionin Telegram, flisja dhe komunikoja me një emër "Leo Smith" dhe "EG GROUP JOANA" e cila ishte si tip menaxhereje, unë kam komunikuar vetëm me kêta emra. Pasi une kam kontaktuar me Leo Smith në një grup po ne rrjetin Telegram me mbishkrimin "EG19-Team", "EG-Albania TEAM" dhe "EG-118 TEAM LEARNING", është shprehur Mukaj.

Në lidhje me goditjen e skemave piramidale online shtatë persona u vendosën në pranga. 4 prej tyre janë lënë në burg, përkatësisht Arbër Çela, Marius Kodra, Brunilda Ndini dhe Brunilda Todi. Ndërsa ndaj Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj u caktua masa detyrim paraqitje. Së fundmi në pranga u vendos edhe Ereledio Shebeku, i cili dyshohet të jetë organizatori kryesor për zonën e Divjakës.

Dy platformat TXEX dhe XEUX paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para raportohet të jetë gati 6 mijë. ZËRI u interesua nga afër ku banorët e Divjakës treguan me detaje se si investojnë lekët dhe rrugën që ndjekin nga regjistrimi në platformë deri tek mënyra si i tërheqin lekët. Ndërkohë, organizatorët e këtij aktiviteti kriminal vijojnë të jenë nën hetim nga policia shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk është arrestuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB