Aktualitet

'Jo' Veliajt e Metës, GJKKO "nxjerr" nga kafazi Beqajn, ish-ministri: Vendim i drejtë, i akuzuari si spektator pas xhamit

Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe vetë ish-ministri, i cili e quan një vendim të drejtë dhe që shkon përtej çështjes së tij personale.

zh.ll
'Jo' Veliajt e Metës, GJKKO "nxjerr" nga kafazi Beqajn,
ilir beqaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që ai të mos qëndrojë në kafaz prej xhami gjatë seancave gjyqësore. Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe vetë ish-ministri, i cili e quan një vendim të drejtë dhe që shkon përtej çështjes së tij personale.

Përmes një deklarate publike, Beqaj shprehet se siguria në gjykatë është e domosdoshme, por nuk duhet të përdoret si arsye për të kufizuar të drejtën e mbrojtjes dhe komunikimin me avokatin. Sipas Beqajt, qëndrimi në “kafazin e sigurisë” pengon mbrojtjen efektive, pasi kufizon komunikimin normal dhe konfidencial me mbrojtësin.

Deklarata e plotë e Ilir Beqaj:

Në cilësinë e përfaqësuesit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:

Kafazi i sigurisë: (pa)barazia e armëve dhe (mos)mbrojtja efektive

Vendimi i sotëm i Gjykatës që unë, në procedimin penal për kontratën koncesionare të instrumenteve kirurgjikale, të mos qëndroj në “kafazin e sigurisë” por në sallën e gjyqit, ka një rëndësi që shkon përtej interesit tim vetjak në lidhje me çështjen.

Ky vendim rikujton një parim elementar: atë që në sallën e gjyqit autoriteti vendimmarrës është Gjykata. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe çdo strukturë tjetër sigurie kanë vetëm detyrimin që të zbatojnë vendimet e Gjykatës.

Siguria në gjykatë është e nevojshme. Por siguria nuk mund të përdoret si arsye automatike për të kufizuar të drejtën e mbrojtjes, komunikimin me avokatin dhe pjesëmarrjen reale në proces.

Deklarimet e disa prokurorëve se qëndrimi në kafaz sigurie “nuk pengon mbrojtjen efektive” bien ndesh me realitetin praktik. Mbrojtja efektive nuk bëhet me leje të avokatit për t’u afruar tek xhami dhe për të komunikuar pak minuta, nuk bëhet me komunikim të ndërprerë, nuk bëhet as me distancë fizike, me pengesa akustike dhe vizuale, apo përmes një dritareje të vogël (60 cm me 20 cm) që nuk mundëson konsultim normal dhe konfidencial.

Pamjet flasin vetë. Komunikimi real mes avokatit dhe të pandehurit ndodh zakonisht para fillimit të seancës ose gjatë pushimeve. Gjatë seancës, çdo ndërhyrje, sqarim apo konsultim i menjëhershëm bëhet i vështirë, i varur nga leja e gjykatës dhe jo nga nevoja e mbrojtjes.

Në një proces penal, i akuzuari nuk është spektator pas xhamit apo pas hekurave. Ai është subjekt procedural. Ka të drejtë të dëgjojë, të kuptojë, të reagojë, të këshillohet me mbrojtësin dhe të marrë pjesë në mënyrë reale në gjykimin që zhvillohet ndaj tij.

Barazia e armëve nuk është formulë teorike. Ajo matet në sallën e gjyqit. A ka mbrojtja mundësi reale të veprojë në të njëjtat kushte procedurale me akuzën? Nëse prokurori komunikon lirshëm me dosjen, kolegët dhe argumentin e tij, ndërsa i akuzuari dhe avokati komunikojnë me pengesa fizike e procedurale, atëherë barazia e armëve cenohet.

Prandaj vendimi i Gjykatës është mëse i drejtë dhe shumë i rëndësishëm. Ai nuk është privilegj. Është zbatim i standardeve të procesit të rregullt ligjor, i së drejtës për mbrojtje efektive dhe i parimit se çdo masë sigurie duhet të jetë e domosdoshme, proporcionale dhe e motivuar konkretisht.

Siguria nuk mund të jetë fasadë për kufizimin e mbrojtjes. Dhe kafazi nuk duhet të jetë normalitet procedural.

Vendimi vjen në kuadër të kërkesave për të pandehurit gjatë proceseve gjyqësore, një çështje që ka qenë shpesh objekt debatesh nga disa të pandehur. Më datën 21 prill ish-presidenti Ilir Meta, paraqiti kërkesën që në seancën e parë gjyqësore që zhvillohej në Gjykatës e Posaçme të mos ishte i mbyllur në kafazin e xhamit, por të ishte në bankën e të akuzuarve, ngjitur me avokatin. Por, GJKKO nuk e pranoi kërkesëm e tij. Më herët edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim ka kërkuar që të mos jetë në kafazin e xhamit gjatë seancës./ZËRI

Poll

MOS HUMB