TIRANË- Apeli i GJKKO-së ka lënë në burg ish-presidentin, Ilir Meta. Ish-presidenti kërkoi që të ndryshohej masa e sigurisë ndaj tij, por pas shqyrtimit të kërkesës, GJKKO e ka rrëzuar, duke e lënë në qeli.
Ndërkohë, gjatë seancës së sotme në GJKKO, gjyqtarja Irena Gjoka ka kërkuar dorëheqjen nga shqyrtimi i dosjes së ish-presidentit, Ilir Meta. Mirëpo, kërkesa e Gjokës për dorëheqje është rrëzuar nga kryetari i gjykatës, Erion Bani. Ish-presidenti Meta nuk ishte i pranishëm në sallë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Kujtim Cakran. Mësohet se ky i fundit është shprehur pro dorëheqjes së Gjokës, pasi pretendon se ka probleme me ligjin.
Gjoka ka qenë gjithashtu gjyqtare paraprake në dosjen Partizani, ndërsa vazhdimisht ka qenë e sulmuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili edhe me disa kërkesa zyrtare ka kërkuar largimin e saj nga çështja, për konflikt interesi. Gjoka do të vlerësojë nëse akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme në drejtim të ish-presidentit janë apo jo të ligjshme.
Avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Cakrani ka hedhur dyshime në lidhje me përzgjedhjen e Gjokës për të shqyrtuar dosjen e ish-presidentit. Cakrani tha se do të konsultohet me Metën, por këshilloi gjyqtaren Gjoka që do të ishte më e udhës që ajo të jepte vetë dorëheqjen nga çështja.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.
Seanca e parë paraprake për ish-presidentin Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij Kryemadhi dhe tre të tjerët, do të zhvillohet më 25 shtator dhe dosja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka. Ajo ka në dorë të përcaktojë nëse do ta kalojë dosjen për gjykim, do ta kthejë sërish në SPAK ose të pushojë hetimet./ZËRI