Aktualitet

I vuri thikën në qafë efektivit dhe tentoi t’i merrte armën e shërbimit, Polici: Më erdhi nga pas, reagova

Polici ka qenë tek vizat e bardha pranë qendrës tregtare 'Casa Italia' dhe po orintonte këmbësorët për të kaluar, kur në një moment, sipas dëshmisë së tij, një person i ka shkuar nga pas dhe i ka vendosur thikën në qafë.

F.I
I vuri thikën në qafë efektivit dhe tentoi t’i merrte
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një person i identifikuar si Dorjan Kasa, i ka vendosur thikën në qafë efektivit të Policisë Rrugore, Luan Rama. Polici ka qenë tek vizat e bardha pranë qendrës tregtare 'Casa Italia' dhe po orintonte këmbësorët për të kaluar, kur në një moment, sipas dëshmisë së tij, një person i ka shkuar nga pas dhe i ka vendosur thikën në qafë.

"Për një moment nuk e kuptoja se kush ishte ky person pasi nuk e njihja. Kur e pash që më vendosi thikën në qafë reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart", ka deklaruar efektivi.

Në njoftimin zyrtar Policia bën me dije se 38-vjeçari ka tentuar t’i marrë efektivit, armën e shërbimit, por është neutralizuar dhe vënë menjëherë në pranga nga shërbimet e Policisë.

Njoftimi i policisë:

Tentoi të godiste me mjet prerës dhe t’i merrte armën e shërbimit një punonjësi të Policisë Rrugore në krye të detyrës, neutralizohet dhe vihet në pranga menjeherë autori.

Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin D. K., 38 vjeç.

Më datë 05.06.2026, rreth orës 08:20, në afërsi të kthesës së Kamzës, 38-vjeçari në mënyrë të menjëhershme i ka vënë në fyt, mjetin prerës (thikë) që kishte me vete, një punonjësi të Policisë që ishte në krye të detyrës, duke menaxhuar trafikun rrugor.

Gjithashtu, 38-vjeçari ka tentuar t’i marrë efektivit, armën e shërbimit, por është neutralizuar dhe vënë menjëherë në pranga nga shërbimet e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB