
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite shërbim prove ish-prefektin dhe ish-nënkryetarin e bashkisë në Kukës, Granit Gjana. GJKKO e ka gjetur fajtor ish-nënkryetarin e Bashkisë për shkelje të barazisë në tendera në 2 raste. Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi një dënim prej 1 vit e 6 muaj burg për ish-nënkryetarin e Bashkisë Kukës, pretencë që u pranua nga Gjykata. Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, Gjana përfitoi ulje të dënimit, duke e reduktuar atë në 1 vit burg. Ndërkohë, SPAK kishte kërkuar konvertimin e dënimit me burg në shërbim prove, ndaj Gjana duhet që të kryejë 2 vite shërbim prove.
Gjana akuzohet nga SPAK për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Kjo shkelje dyshohet se ka ndodhur gjatë një procedure që ishte kryer nga Bashkia e Kukësit, ky ai kishte postin e nënkryetarit. Pas ngritjes së akuzës ndaj SPAK, Granit Gjana u pezullua nga detyra si prefekt i Kukësit, detyrë që mbante prej muajit shtator 2023, pasi akuzohet se ka penguar një kompani të merrte pjesë në tendera të Bashkisë së Kukësit.
Në kohën kur Gjana zëvendësoi Safet Gjicin në krye të Bashkisë së Kukësit, ka penguar një kompani që të merrte pjesë në 2 tendera për “blerje karburanti” në vlerën 21 milionë lekë. Pra në procedurat e nisura nga Autoriteti Kontraktor, zëvendëskryetari i Bashkisë ka ndërhyrë dhe ka dëmtuar interesat e kompanisë “U. C. Sh.p.k.", ndaj dhe u hetua për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Sipas Kodit Penal, kjo vepër penale dënohet me burgim deri në tre vite burg.
Emri i Gjanës ishte përmendur edhe në kohën e arrestimit të Safet Gjicit, pasi ky i fundit i kishte lënë porosi që të merrej me projektin që propozonte Alma Kaçi për strehimin e qenve. Por megjithatë, Gjana në rastin e parë nuk u ngarkua me asnjë akuzë nga SPAK, e madje disa muaj më vonë socialistët i besuan dhe detyrën e prefektit./ZËRI