KAVAJË-Është zbardhur dëshmia e Muhamet Rreshkës, 76 vjeç, i cili mbrëmjen e 24 qershorit vrau me thikë pas një konflikti vëllain e tij 74-vjeçari, Eqerem Rreshka. Ai ka deklaruar se mes tij dhe vëllait kishte një konflikt të vjetër që kishte të bënte me një rrugë që ai pretendon se kalon tek toka e tij. Sipas Muhametit ai e kishte paralajmëruar disa herë të vëllain mos kalonte në rrugën e tij, por mbrëmë kishte kaluar sërish me zetor.
Sipas tij, aty kanë nisur të debatonin ashpër dhe në konflikt e sipër ai e ka goditur disa herë me thikë. Autori shpreh pendesë që debati me të vëllanë përfundoi në tragjedi, ndërkohë thekson se vetë ai nuk kishte qëllim të përdorte thikën, po gjatë përleshjes në gjaknxehtësi e ka goditur.
“Me Eqeremin kemi një konflikt të vjetër. Për një rrugë që është pjesë e pronës time. Ai e shfrytëzonte për të kaluar me zetor dhe më dëmtonte tokën. Disa herë ishim përplasur. I kisha thënë mos kalo më se është prona ime. Ai mbrëmë prapë kaloi aty me zetor se do shkonte te toka e vet për të ngarkuar dengjet e barit. I thashë mos kalo. Ai më shpërfilli. I dha gaz zetorit dhe desh më përplasi. Unë isha përpara zetorit dhe u largova në atë moment. Aty nisëm të debatonim ashpër. Në konflikt e sipër e godita disa herë me thikë. Më vjen shumë keq që kjo përfundoi kështu. Unë nuk kisha për qëllim ta përdorja thikën, po gjatë përleshjes, në gjaknxehtësi e sipër, e godita. Jam penduar shumë”,-ka deklaruar ndër të tjera 76-vjeçari.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të 24 qershorit në fshatin Agonas, ku dy vëllezërit ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë. Pas konfliktit verbal, Muhamet Rreshka ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllain e tij 3-4 herë. 74-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra./ZËRI