Aktualitet

I dënuar me 3.1 vite burg, Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për Jorgo Goron

GJKKO ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme, me ndryshimin që ka urdhëruar konfiskimin e pronës që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula.

k.m.
I dënuar me 3.1 vite burg, Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin
Jorgo Goro

TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur ditën e sotme rrëzimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, mbi heqjen e sekuestros së vendosur ndaj një apartamenti. GJKKO ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme, me ndryshimin që ka urdhëruar konfiskimin e pronës që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula.

Gjithashtu, Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, dënimi i cili zbriti në 2 vite e 20 dite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi i Apelit të GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare), më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 44 akti, datë 03.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe ankimet e paraqitura nga të pandehurit J.G., V.Gj. dhe J.B, ndaj vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: 1 – Lënien në fuqi të vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:

Urdhërohet konfiskimi i pasurisë së mëposhtme: – Apartament i regjistruar me nr. pasurie ***, volumi ***, faqe ***, zona kadastrale ***, me sipërfaqe 81,41 (tetëdhjetë e një presje dyzet e një) m2, ndodhur në ***, së bashku me sendin sekuestruar shtetasit E.V. me procesverbalin e sekuestrimit datë 03.07.2024, çelës me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin “***”, me kod “***”. 2 – Mospranimin e ankimit të ankuesit Shoqëria “***” shpk, kundër vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 3 – Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.

Më 13 mars, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 2 vite e 20 muaj heqje lirie, Jorgo Goron, pasi u gjet fajtor për veprat penale "shpërdorim detyre" dhe "tjetërsim të provave". Gjykata e Posaçme ka vendosur po ashtu 2 vite burg për ish-juristin në Hipotekën e Vlorës Vezir Gjikoka (me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj) dhe 3 vite heqje lirie për Jerasimo Bashin (me gjykim të shkurtuar 2 vite burg). Ky i fundit (ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki) bashkë me Goron kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona. SPAK, në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Ndaj rreth 10 mijë m2 tokë në zonën e Dhërmiut kaluan në favor të shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB