TIRANË- Kompania “Bankers Petroleum” ka reaguar pas hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj disa prej drejtuesve dhe punonjësve të saj aktualë dhe të mëparshëm në Shqipëri, duke i cilësuar zhvillimet si shqetësuese dhe duke paralajmëruar përballje në arbitrazh ndërkombëtar. Në një njoftim zyrtar për shtyp të publikuar në faqen zyrtare "Facebook", kompania deklaron se ndryshimi i kontrollit të aksioneve te investitorët aktualë ka ndodhur që në shtator 2016 dhe se ajo nuk mban përgjegjësi për veprimet e mëparshme të mundshme.
Sipas Bankers, hetimet janë paraprirë nga muaj mbikëqyrjeje të komunikimeve telefonike dhe sekuestrime të sendeve personale dhe të punës të disa punonjësve, për të cilat kompania shpreh shqetësim për procedurat dhe proporcionalitetin e ndjekur nga autoritetet.
“Komunikimet janë ndjekur dhe mjetet e punës janë sekuestruar në rrethana që ngrenë shqetësime serioze. Këto masa kanë kulmuar me vendosjen e kufizimeve ndaj individëve dhe kompanisë,”- thuhet në reagim. Duke marrë parasysh ndikimin që këto zhvillime mund të kenë mbi operacionet e saj në Shqipëri, kompania njofton se ka angazhuar ekipe ligjore brenda dhe jashtë vendit. Në përmbyllje, kompania garanton se do të vijojë të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale në Shqipëri dhe shpreh përkushtim të plotë ndaj partnerëve dhe të gjithë punonjësve të saj.
"Kompania ka angazhuar ekipe ligjore si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit për të bashkë-udhëhequr mbrojtjen ligjore, si brenda vendit ashtu edhe para organeve ndërkombëtare të arbitrazhit. Kompania aktualisht po vlerëson të gjitha rrugët ligjore ndërkombëtare të disponueshme, duke përfshirë procedimet tek institucionet ndërkombëtare të investimeve dhe arbitrazhit sipas Rregullave të ICC-së, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të saj si investitor i huaj dhe ruajtjen e sigurisë ligjore të operacioneve të saj."
POSTIMI I PLOTË:
Kompania po ndjek me shqetësim hetimet ndaj disa prej drejtuesve e punonjësve të saj aktualë dhe të mëparshëm. Duam të përsërisim se ndryshimi i kontrollit tek investitorët aktualë ndodhi në shtator 2016. Këto zhvillime vijnë pas muajsh mbikqyrjeje mbi komunikimet telefonike dhe sekuestrimit të sendeve personale dhe të punës të disa prej punonjësve tanë, të kryera në rrethana që ngrenë shqetësime serioze mbi procedurat dhe proporcionalitetin, duke kulmuar në masa kufizuese ndaj individëve dhe mjeteve të punës. Ne rikonfirmojmë se: · Marrëveshjet sipas të cilave Kompania operon në Shqipëri, dhe sistemi i "rikuperimit të kostove" në ato marrëveshje, i cili është në qendër të këtij hetimi penal ndaj drejtuesve dhe punonjësve të Kompanisë, u vlerësuan në një vendim përfundimtar të lëshuar nga një arbitrazh i ICC në vitin 2024; · Megjithatë, Kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetet kompetente hetimore shqiptare; · Të gjithë punonjësit kanë të drejtë të prezumohen të pafajshëm dhe kanë të drejtën për mbrojtje ligjore të pavarur dhe të drejtë; · Kompania po ofron mbështetje të plotë ligjore për të gjithë stafin e prekur dhe garanton përfaqësim të plotë ligjor në çdo fazë proceduriale, duke mbështetur fuqimisht të drejtën e tyre për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm që këto zhvillime mund të kenë në integritetin e operacioneve të saj në Shqipëri, Kompania ka angazhuar ekipe ligjore si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit për të bashkë-udhëhequr mbrojtjen ligjore, si brenda vendit ashtu edhe para organeve ndërkombëtare të arbitrazhit. Kompania aktualisht po vlerëson të gjitha rrugët ligjore ndërkombëtare të disponueshme, duke përfshirë procedimet tek institucionet ndërkombëtare të investimeve dhe arbitrazhit sipas Rregullave të ICC-së, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të saj si investitor i huaj dhe ruajtjen e sigurisë ligjore të operacioneve të saj. Kompania do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj kontraktuale dhe t’u përmbahet ligjeve shqiptare. Ne besojmë se as mekanizmat e lartpërmendur dhe as nxitja e tyre nuk duhet të zëvendësojnë dialogun në lidhje me zbatimin e vendimit përfundimtar të lëshuar në arbitrazhin e lartpërmendur të ICC-së, të cilin ne kemi shprehur prej kohësh gadishmërinë tonë për ta finalizuar dhe zbatuar. Kompania jonë nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje të pajustifikuar që dëmton stafin e saj, familjet e tyre, reputacionin e saj ose investimin e saj të gjatë në vend. Në këtë mjedis sfidues, ekipi ynë kryesor ka demonstruar unitet dhe profesionalizëm, duke siguruar që operacionet e Kompanisë të vazhdojnë pa ndërprerje. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj partnerëve tanë dhe të gjithë palëve të interesuara duke përmbushur detyrimet tona me të njëjtën cilësi dhe besueshmëri, ndaj institucioneve shqiptare dhe mbi të gjitha, ndaj të gjithë punonjësve tanë, të cilët i kanë shërbyer misionit tonë me integritet dhe profesionalizëm.
Në "Bankers Petroleum” u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm në kurriz të shtetit shqiptar. Në kuadër të hetimit u lëshuan 14 masa sigurimi, 9 u ekzekutuan dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. Edhe pse 'Bankers' nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro./ZËRI