TIRANË- Është ekstraduar nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë Xhuljano Hoxha, 31-vjeç, i akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve.
Hoxha u arrestua në tetor të vitit të kaluar, ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të një hetimi për një rast të goditur më 10 nëntor 2022 në fshatin Drenovicë të Beratit. Lidhur me këtë rast, GJKKO i kishte caktuar në prill të vitit 2024 masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Hoxha, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit Xh. H., 31 vjeç, lindur në Berat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, për rastin e zbuluar dhe goditur më datë 10.11.2022, në fshatin Drenovicë, qarku Berat.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se Xh. H., në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.
Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Mançester/Mbretëri e Bashkuar dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij në Shqipëri.
