Aktualitet

Hasan Ferracaku në 'arrest shtëpie' u iku para syve, AMP arreston 4 punonjësit e policisë

Të arrestuarit janë inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj dhe punonjësi Ridvan Zefi.

F.I
Hasan Ferracaku në 'arrest shtëpie' u iku para syve, AMP
Hasan Ferracaku

TIRANË-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër, të dyshuar për shpërdorim detyre, pasi Hasan Ferracaku, i cili ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, nuk u gjet në banesë. 

Pas veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e AMP-së, u bë arrestimi në flagrancë i katër efektivëve të Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër. Të arrestuarit janë inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj dhe punonjësi Ridvan Zefi. Sipas AMP-së, dyshohet se moszbatimi i detyrës së mbikëqyrjes ka bërë të mundur largimin e personit nën masë sigurie, duke krijuar dyshime për konsumimin e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Ferracaku ka mundur t'i shmanget mbikëqyrjes së policisë dhe të largohet në një drejtim ende të panjohur. Ferracaku mbeti i plagosur së bashku me nipin e tij në masakrën e 26 qershorit 2021 pas një konflikti me familjen Gocaj. Në përplasjen me armë zjarri mbetën të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç dhe dy vëllezërit Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Xhovani Gocaj 25 vjeç si dhe kamarieri 20 vjeçar Myzerim Zeneli. Vëllezërit Hasan dhe Kujtim Ferracaku u konfliktuan me vëllezërit Gocaj për ndarjen e shezlongëve në plazh dhe në darkë janë takuar për t’u sqaruar.

NJOFTIMI:

AMP arreston katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër - Lezhë) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Menjëherë pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe në ruajtje, specialistët e AMP-së kryen veprimet hetimore dhe procedurale përkatëse, në përfundim të të cilave u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësve të policisë:

* Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
* Inspektor Gentian Xhanari;
* Inspektor Dioniz Hotaj;
* Punonjësit Ridvan Zefi,
me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër

Ndërkohë shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal, duke thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar me vendim gjykate.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë.

Poll

MOS HUMB