
TIRANË- Shkëlzen Ruska, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë; Ervis Alisinanaj, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë; ish-efektivi Erdit Hazizaj i cili gjithashtu ka kandiduar për kryetar bashkie në Roskovec më 2023 nën siglën e “Bashkë Fitojmë” janë vënë në pranga, ndërsa Elvis Dervishi me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, është shpallur në kërkim.
Arrestimi i tyre u krye në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që goditi një grup kriminal dhe të katërt akuzohen se jepnin informacione për aksionet e Policisë së Shtetit, në mënyrë që trafikantët tu shpëtonin prangave. Grupi ku rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës 4 shefat e policisë drejtohet nga Kristo Qirici, i njohur ndryshe edhe si Jetmir Qirici (Hoxha), që është dhe vëllai i Edmond Papës, i cili u ekzekutua në Tiranë në dhjetor të vitit 2022. Papa dyshohet se u ekzekutua për hakmarrje pas vrasjes të Aleksandër Sadikajt me eksploziv në Tiranë, nipit të Adriatik Kalemit. Të dyja palët rezulton të kenë pasur konflikte prej vitesh. Bashkëdrejtues me Qiricin në këtë grup kriminal rezulton të jetë edhe Eldian Allushi. Në total, ky grup kriminal gjatë periudhës 2019-2021, ka trafikuar rreth 1.7 milionë euro drogë në drejtim të Greqisë. Qirici dhe Allushi për momentin janë vënë nën hetim nga SPAK, bashkë me anëtarët e tjerë të grupit kriminal, si: Xhino Nebi dhe disa të tjerë. E gjithë skema është zbardhur përmes bisedave të gjetura në aplikacionin SKYECC, në të cilin është përmendur dhe një takim mes Ruskës dhe Edmond Papës./ZËRI/