Aktualitet

Grupi gjeorgjian bastis tri pika exchange në Shqipëri, vjedhin 380 mijë euro!

Grabitja e parë u dokumentua në qytetin e Librazhdit në maj të vitit 2024, ku grupi përdori një skemë të njohur si "matrioshka ruse" për të marrë 40 mijë euro.

M.M
Grupi gjeorgjian bastis tri pika exchange në Shqipëri, vjedhin 380
Pamje nga grabitja

TIRANË- Policia shqiptare është duke hetuar një grup prej 10 gjeorgjanësh, të cilët dyshohen për një seri grabitjesh që arrijnë një vlerë prej afro 400 mijë eurosh. Ata u paraqitën si turistë dhe investitorë, ndërsa sulmonin pikat e këmbimit valutor. Një prej anëtarëve të grupit është arrestuar, ndërsa të tjerët janë në kërkim.

Grabitja e parë u dokumentua në qytetin e Librazhdit në maj të vitit 2024, ku grupi përdori një skemë të njohur si "matrioshka ruse" për të marrë 40 mijë euro. Emisioni investigativ FactCheck në MCN ka siguruar pamje dhe dëshmi nga kjo grabitje.

Shtetasi i dëmtuar, A.L, në dëshminë e tij përpara hetuesve, ka deklaruar:

"Para disa ditësh, rreth një javë më parë nga data 27.05.2024, në dyqanin tim hyri një shtetas rreth të 50-tave, i cili kishte nevojë të shkëmbente disa kartëmonedha shqiptare në kartëmonedhë euro. Në atë ditë më dha 102.000 lekë dhe mori nga unë 1000 euro. Ky shtetas hyri në dyqanin tim rreth orës 12:45 të drekës, kreu veprimin dhe u largua. Po ky shtetas u kthye përsëri të mërkurën, më 29.05.2024, rreth orës 13:00 dhe shkëmbeu kartëmonedhë shqiptare për euro, duke marrë 5000 euro."

Në këtë grabitje është përfshirë Lasha Rogava, gjeorgjani i cili pasi mori me qira një automjet në Elbasan, dhe që arriti të largohej nga vendi pas grabitjes së 40 mijë eurove. Hetimet kanë zbuluar se ai kaloi kufirin në Qafë Thanë më 1 qershor 2024, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Levan Pertia.

Megjithëse Rogava është ende në kërkim, grupi tjetër gjeorgjian ka vijuar veprimtarinë kriminale. Në gusht të vitit 2024, në qytetin e Shkodrës, ata arritën të grabisin një tjetër zyrë këmbimi valutor, duke marrë 140 mijë euro. Dy anëtarë të grupit hynë brenda, ndërsa një tjetër qëndroi jashtë në pritje. Pas goditjes, grupi u largua nga Shqipëria, por falë bashkëpunimit me Interpolin turk, u bë e mundur kapja e njërit prej anëtarëve, Kakha Joua, 40 vjeç.

Një tjetër grabitje ndodhi në Tiranë më 4 tetor 2024, ku katër gjeorgjianë arritën të grabisnin 200 mijë euro. Ata u identifikuan falë pamjeve ekskluzive të siguruara nga FactCheck, ku njëri prej tyre hoqi maskën gjatë një momenti. Të katër të dyshuarit janë: Levan Kiria, Tengiz Natchkebia, Noshrevani Kutali dhe Yousuf Bozkurt./ ZËRI

Poll

MOS HUMB