
DURRËS-Një situatë emergjente mjekësore ka ndodhur ditën e sotme në tragetin e linjës së Barit, ku një qytetare shqiptare pësoi një abort spontan gjatë udhëtimit. Incidenti ndodhi në tragetin “Af Marina,” i cili ishte nisur nga Porti i Durrësit në orën 13:00 drejt Barit. Rreth orës 15:50, Kapiteneria e Portit të Durrësit mori një njoftim për një rast urgjent të një shtetaseje shqiptare që kishte pësuar një abort spontan gjatë udhëtimit.
Rimorkiatori “Joni” u vendos në gatishmëri për të transportuar shtetasen Jolanda T. drejt portit, ndërsa në bashkëpunim me autoritetet portuale, një ambulancë e Autoritetit Portual Durrës (APD) u përgatit për ta transportuar atë në spital. Menjëherë ajo do të transferohet në ambulancën e gatshme në terminalin e pasagjerëve për t’u nisur për në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm. Ende nuk dihet se si është gjendja e udhëtares.
Njoftimi:
Kapiteneria e Portit Durrës ju bën me dije se: Pas njoftimit të marrë në orën 15:50 nga Af Marina, e cila ishte nisur nga Porti i Durrësit në orën 13:00 (me dy korsi) në drejtim të Barit, për një emergjencë mjekësore (abort spontan) të një shtetaseje shqiptare, u urdhërua kthimi i tragetit në radë. Po ashtu, u vendos në gatishmëri rimorkiatori “Joni” për të shkuar në radë dhe marrë shtetasin e sëmurë. Në bashkëpunim me autoritetet portuale, u vendos gjithashtu në gatishmëri ambulanca e APD-së për transportin e shtetases në spital. Në orën 17:15, shtetasja u ngarkua në bordin e rimorkiatorit M/S “Joni”, dhe në orën 18:00 ai hyri në port. Në orën 18:05, shtetasja u ngarkua në ambulancë në terminalin e pasagjerëve për t’u transportuar në spital./ZËRI