TIRANË-Komunikimet e siguruara nga platforma e koduar SKY ECC kanë zbuluar detaje të reja mbi mënyrën se si anëtarët e një rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës menaxhonin dhe fshihnin fitimet e tyre marramendëse. Në krye të grupit dyshohet se qëndron Salvadore alias Shpëtim Aliu, ndërsa urdhër-arrest është lëshuar edhe për emra të njohur në fushën e narkotikëve, si Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika. Salvadore dyshohet se mban kontakte me bosë të karteleve në vendet e Amerikës së Jugut dhe siguron sasi të mëdha të kokainës që trafikoheshin drejt Belgjikës, Holandës dhe Francës.
Salvadore merrej me trafikun, ndërsa për pastrimin e parave të kokainës kishte angazhuar vëllain e tij Isa Aliun. Në bisedat e zhvilluara në gusht të vitit 2020 mes vëllezërve Isa Aliu dhe Shpëtim Aliu, i njohur edhe me nofkën “Salvadore”, flitet për shuma milionëshe parash të siguruara nga aktiviteti kriminal. Në një prej komunikimeve, Isa Aliu shprehet se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro cash.
Shpëtim Aliu i komunikon vëllait se pritej të siguroheshin edhe 20 milionë euro të tjera, ndërsa diskuton me të edhe mënyrat për fshehjen e shumave të mëdha të parave.
Sipas hetimeve, një nga metodat e përdorura ishte groposja e parave në tokë, të futura në fuçi plastike me kapacitet 50 litra. Nga verifikimet e kryera, SPAK dyshon se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij dhe se këto para janë investuar më pas kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Bazuar njoftimit të SPAK, Isa Aliu, ka oreientuar që paratë e përfituara nga trafiku i drogës të kalonin në llogaritë e kompanisë “A.. R.. H…” sh.p.k, me qëllim “justifikimin” e investimeve të ardhshme, në muajt Maj 2021 – Qershor 2021. Aliu vendosi që kompania e tij “A.. R.. H…” sh.p.k' me seli në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash, për të justifikuar flukset e ardhshme të parave cash dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit.
Dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale. Gjatë viteve 2019-2021, grupi ku bën pjesë edhe Isa Aliu ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë./ZËRI

