
ITALI-Një organizatë kriminale e grabitjeve të shtëpive është çmontuar nga policia italiane, teksa bëhet përgjegjëse për të paktën 50 vjedhje në seri, me një vlerë dëmi në mall mbi 500 mijë euro. Në pranga janë vendosur Erjon Rruçaj, Gjovan Rruçaj, ndërsa një kushëri i tyre është shpallur në kërkim bashkë me një tjetër, raportojnë mediat italiane.
Policia e Padovës njoftoi sot (20 Dhjetor) goditjen e bandës së ‘skifterëve’ me 3 anëtarë të identifikuar deri tani, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, ku kreu i saj gjithashtu ishte nga Shqipëria, një 29-vjeçar që u arrestua. Plaçkitjet janë kryer brenda javëve të fundit dhe rekordi sipas hetuesve është 15 minuta për ta vjedhur një banesë, duke i cilësuar të dyshuarit si profesionistë.
Bastisjet janë kryer midis rajoneve të Venecias, Lombardisë dhe Emilia Romagna, Milano dhe Bergamo, duke ndaluar dhe rikuperuar kreun e bandës, sekuestruar bazë logjistike, mallra të shumta me vlerë të vjedhura nga banesat, si ora dhe bizhuteri floriri.
Hetimi nisi në mesin e muajit nëntor të këtij viti, duke krahasuar gjurmët, teknikën e sulmit të bandës dhe detaje të tjera.Më 16 Dhjetor nisi edhe operacioni i goditjes së organizatës nga Milano dhe Bergamo, ku brenda një apartamenti në Komunën e Abbiategrasso u kap një 29-vjeçar, që dyshohet se është edhe kapo i grupit, të cilit iu gjetën dhjetëra materiale të vjedhura, dy radio-marrëse dhe disa telefona të përdorur, për të mbajtur lidhje me bashkëpunëtorët dhe drejtuar sulmet.
Nga verifikimet rezultoi se shqiptari kishte qenë i dënuar për krime të njëjta në Itali, në vitet 2015 dhe 2017, por që kishte mundur të jetonte në arrati, edhe pse ishte pa dokumente të rregullta.
Kurse në një shtëpi të dytë në Bareggio (Milano), policia gjeti një grua, e cila më vonë u konfirmua se ishte partnerja e njërit prej dy të kërkuarve të tjerë, një 45-vjeçari shqiptar, i dënuar gjithashtu për vjedhje të shtëpive të kryera në vitin 2012 në Itali dhe 2015 në Belgjikë. Ky i fundit fshehu në shtëpinë e tij një tjetër pjesë të madhe të sendeve të vjedhura të bandës, teksa rezultoi me dokumente të rregullta qëndrimi. Më pas u bastis edhe banesa e një tjetër anëtari të grupit, ku banonin të afërm të tij, 30-vjeçar, gjithashtu i dyshuar si bashkëdrejtues i bandës dhe me precedentë policie për vjedhje banesash në vitin 2022. Në këtë zonë të Milanos, 3 shqiptarët e grupit kishin kryer të paktën 10 vjedhje./ZËRI