Aktualitet

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit, reagon Gjykata e Apelit: Të merren masa për rritjen e sigurisë!

Në reagimin zyrtar, Gjykata e Apelit e cilëson këtë ngjarje të rëndë si një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.

zh.ll
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit, reagon Gjykata e
gjykata e apelit-pamje nga vendngjarja dhe astrit kalaja (viktima)

TIRANË- Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka reaguar pas vrasjes në së gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit, brenda ambienteve të kësaj gjykate. Në reagimin zyrtar, Gjykata e Apelit e cilëson këtë ngjarje të rëndë si një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë. Apeli kërkon forcimin e masave të sigurisë në ambientet gjyqësore, ndërsa thekson se drejtësia nuk do të trembet.

REAGIMI I PLOTË

Sot gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjykimit.

Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.

Në emër të kolegëve gjyqtarë dhe të gjithë trupës gjyqësore, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut të ndjerë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Zemrat tona janë me ta në këtë moment të dhimbshëm dhe solidariteti ynë është i plotë.

Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Po aq e rëndësishme është ndalimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut.

Njëkohësisht, bëjmë apel për reflektim shoqëror, për unitet dhe për respekt ndaj drejtësisë si themel i rendit demokratik.

Në këtë moment të errët, ne gjyqtarët mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të zbatuar ligjin me integritet dhe kurajë. Drejtësia nuk do të trembet. Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje.

Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi.

Një tjetër reagim ka ardhur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Krahas ngushëllimeve për familjen dhe të afërmit e gjyqtarit, GJKKO e cilëson humbjen e tij një goditje të rëndë për sistemin gjyqësor dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Një akt kriminal sipas GJKKO, që kërcënon integritetin e funksionit të magjistratit dhe besimin e qytetarëve në shtetin e së drejtës.

REAGIMI I PLOTË

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpreh me dhimbje dhe indinjatë të thellë reagimin ndaj ngjarjes tragjike të ndodhur sot, ku humbi jetën në mënyrë të dhunshme gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja.

Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë me familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja.

Humbja e një përfaqësuesi të drejtësisë në mënyrë të tillë është një goditje e rëndë për të gjithë sistemin gjyqësor dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.

Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë. Gjyqtarët janë shtylla të sistemit të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj siguria e tyre personale është jo vetëm një detyrim institucional, por një domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit demokratik dhe sundimit të ligjit.

Ky akt kriminal është një kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të funksionit të magjistratit dhe besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës. Askush që mban mbi supe përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur.

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar për vrasjen e gjqytarit Astrit Kalaja, teksa bën thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistrateve në të gjitha aspektet.

REAGIMI I PLOTË:

Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, e cila përveç se ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor.

Prokurori i Përgjithshmëm i përcjell ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bën thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistrateve në të gjitha aspektet.

Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Poll

MOS HUMB