
TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë seanca për shpifje mes biznesmenes Vilma Nushi dhe deputetes demokrate Albana Vokshi. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e prokurorit Elvin Gogaj, ndërsa seanca e radhës u caktua më 6 maj.
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të 'Check Up-it dhe Sterlizimit' është paditur për shpifje nga bizesmenia Vilma Nushi dhe shoqëria e saj “3P Life Logistic”. Padia e depozituar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale të shpifjes, bazuar në nenin 120 të Kodit Penal. Padia është ngritur pas deklaratave që Vokshi bëri si kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë lidhur me dosjen e “Check-up-it”.
Vokshi akuzoi se vlera e projektit të koncesionit për Check Up ishte 130 milionë euro, ndërsa pala paditëse e kundërshton këtë vlerë, duke thënë se vlera reale është 63 milionë euro për 10 vitet e projektit./ZËRI