TIRANË-Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me një kërkesë publike për transmetuar 'live' të gjitha seancat e procesit gjyqësor ndaj tij. Në kërkesën e tij, ish-presidenti arsyeton se transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.
“Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë bashkëkombasve, kudo që ndodhen, të cilëve u kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi maksimale dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem sot Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë (live) të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, të hënën, më datë 27 prill 2026 dhe deri në fund. Në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t’ju garantohet sinjali i transmetimit (live). Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik!”, shkruan Meta.
Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 27 prill, ora 11:00, për zhvillimin e seancës së parë në themel për ish-presidentin Ilir Meta, ish-deputeten Monika Kryemadhi dhe 3 të pandehurit e tjerë. Të pandehur në këtë çështje janë edhe nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, një finacuese e LSI-së.
Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI