VLORË- Forcat e Posaçme Operacionale zhvilluan sot një kontroll të befasishëm në paraburgimin e Vlorës. Operacionalja ushtroi për rreth dy orë kontrolle të detajuara në çdo sektor dhe ambient të brendshëm të institucionit. Në operacion kanë marrë pjesë rreth 70 efektivë, të cilët kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në ambientet e brendshme të institucionit. Kontrollet janë përqendruar në çdo qeli, me qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e sendeve të paligjshme.
Sipas burimeve të policisë së burgjeve, gjatë verifikimeve nuk janë konstatuar mjete apo sende të paligjshme brenda ambienteve. Pas përfundimit të këtij aksioni, forcat operacionale janë larguar nga Vlora për të vijuar kontrollet edhe në institucione të tjera të vuajtjes së dënimit në vend.