Aktualitet

Gjoba 120 milionë euro, Drejtoria e Doganave bllokon aktivitetin e Bankers Petroleum: Rrezikohet jeta e banorëve të zonës

Sipas Bankers, ky bllokim ka sjellë ndalimin e plotë të operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës

E.K
Gjoba 120 milionë euro, Drejtoria e Doganave bllokon aktivitetin e Bankers
bankers, foto ilustruese

TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e Bankers Petroleum, për shkak të detyrimit prej 120 milionë eurosh që kjo kompani i ka shtetit shqiptar. Vendimi i Drejtorisë së Doganave është bërë publik nga vetë kompania, ndërkohë që ka pasuar me ndalimin e plotë të operacioneve për nxjerrjen e naftës.

"Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë. Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e pretenduar e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së," thuhet në njoftimin e kompanisë kineze.

Sipas Bankers, ky bllokim ka sjellë ndalimin e plotë të operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës.

"Ky bllokim i menjëhershëm i operacioneve sjell pasoja të pariparueshme për vazhdimësinë e menaxhimit të fushës naftëmbajtëse, pasi (përveç depozitave dhe tubacioneve) nëse ndalohet prodhimi i puseve të naftës, pjesa më e madhe e tyre nuk mund të rivihen më në punë, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme këtë pasuri të popullit shqiptar. Theksojmë se dëmi ekonomik i shkaktohet shumë më tepër shtetit shqiptar sesa BPAL-së, i cili është vetëm operator i këtij vendburimi dhe jo pronar i tij, ndërkohë që impakti i përgjithshëm është edhe më i madh," vijon deklarata e Bankers.

Kompania kineze që ka me koncesion shfrytëzimin e Patos Marinzës thotë se institucionet teknike shtetërore përgjegjëse për hidrokarburet në Republikën e Shqipërisë (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore – AKBN), përmes një letre drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, kanë sqaruar se: “Procesi i nxjerrjes së naftës në vendburim duhet të zhvillohet me rrjedhje të vazhdueshme dhe të pandërprerë 24/7, pasi në të kundërt, nafta bruto e prodhuar nga ky vendburim, duke qenë shumë viskoze dhe e rëndë, nëse ftohet, ngurtësohet në tubacione dhe depozita, duke u bërë e papërdorshme."

"Nëpërmjet një shkrese zyrtare, AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të Kompanisë," vijon Bankers.

Shkaku i bllokimit të veprimtarisë së Kompanisë është taksimi me akcizë i holluesit, një çështje e diskutuar prej vitesh nga shteti shqiptar nëse Kompania duhet apo jo të paguajë akcizë për këtë produkt.

Në vitin 2019, dogana e Fierit mbajti një akt konstatimi, ku theksonte se Bankers Petroleum nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin. Mbi këtë detyrim inspektorët llogaritën dhe një gjobë në masën 90 milionë euro duke e çuar në total faturën 120 milionë euro.

Por gjoba u mbajt e pezulluar për shumë vite, ndërkohë që u zyrtarizua në tetor të këtij viti. Pas këtij vendimi, Dogana ka bllokuar plotësisht aktivitetin e Bankers duke i kërkuar pagimin e 120 milionë eurove.

"E gjithë çështja është aktualisht në proces gjyqësor dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë, ndërkohë që organet shtetërore, pa pritur vendimin e gjykatës, po ndërmarrin veprime arbitrare. Ky nuk është rasti i parë që BPAL përballet me akte të tilla abuzive. Në këto raste, ne kemi fituar çdo proces gjyqësor. Megjithatë, bllokimi i aktivitetit të Kompanisë pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor është një akt dashakeq që dëmton më shumë shtetin shqiptar, punonjësit e industrisë, kompanitë nënkontraktore, komunitetin lokal, pushtetin vendor dhe shumë të tjera," thuhet në njoftimin e Bankers.

"Nëpërmjet këtij komunikimi me median, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që ta administrojnë me maturi këtë situatë delikate. Pas 6 vitesh pezullimi të rezultateve të kontrollit, të cilat janë konsideruar të paligjshme nga vetë Administrata Shtetërore, nuk ka arsye për nxitim në ndjekjen e një çështjeje që do të sjellë dëme të pakthyeshme për Kompaninë. Ky zhvillim ka aktivizuar klauzolën e Forcës Madhore për shkak të “veprimeve qeveritare”, sipas pikës 17.1 të Marrëveshjes së Hidrokarbureve të vitit 2004, të nënshkruar me shtetin shqiptar. Ju informojmë se kemi depozituar një kallëzim penal pranë SPAK kundër funksionarëve përgjegjës dhe ftojmë të gjitha palët të presin rezultatet e hetimit dhe vendimet e gjykatave përpara se të ndërmarrin veprime arbitrare," përfundon njoftimi i Bankers.

Paralelisht me gjobën e vendosur nga Doganat, Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim në lidhje me atë që ka ndodhur me Bankers.

Në "Bankers Petroleum” u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm shtetit. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite.

Edhe pse 'Bankers' nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet. Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro./ZËRI

Poll

MOS HUMB