TIRANË-Ka përfunduar sot në GJKKO seanca gjyqësore ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi. Të dy si Meta ashtu edhe Kryemadhi kërkuan pushimin e çështjes ose në alternativë kthimin e akteve për hetim. Seancën e radhës do të mbahet më 5 mars, ku gjyqtarja Irena Gjoka pritet të shpallë vendimin në lidhje me kërkesën e SPAK për kalimin ose jo të çështjes për gjykim.
Pas seancës, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani kërkoi që kryeministri Edi Rama dhe 73 deputetë të PS të thirren për dëshmi lidhur me çështjen e ligjit të minierave ku akuzohen Meta dhe Kryemadhi. Mbrojtja kërkoi pushimin e çështjes ÇEZ-DIA, kthimin për rihetim të dosjes së lobimit.
Avokati Kujtim Cakrani: Për CEZ kemi kërkuar pushimi ne çështjes. Nuk ekziston fakti që e ka bërë zoti Meta. Për lobimin nuk janë pyetur persona që janë kryesor, Ardian Shatku përmendet 130 herë dhe nuk është thirrur qoftë në Prokurori qoftë në SHBA. Kemi kërkuar për çështjen e ligjit të minierave ku akuzohen Meta dhe Kryemadhi, kemi kërkuar që çështja të kthehet, dhe të pyeten deputetët dhe zoti Rama që tha me ligjin e minierave nuk do ketë më probleme minatorët. Provat dhe aktet që akuzohet Meta duhet të vazhdojë hetimi, pasi nuk provohet që të jetë kryer vepra penale e korrupsionit dhe padyshim dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në datën 5 orën 10 do jetë seanca e radhës. Brenda datës 20 do ketë një vendimmarrje.
Në dalje nga GJKKO edhe Kryemadhi foli për mediat, ku mohoi sërish akuzat e ngritura ndaj saj nga Prokuroria e Posaçme. Ish-deputetja tha se paraqiti edhe dy kontrata për çështjen e lobimit, që SPAK mund t’i verifikojë më tej me letër-porosi në SHBA, kurse për ligjin e minierave që akuzohet ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, nënvizoi se propozuesi është Edi Rama dhe jo ish-presidenti. Sipas saj, SPAK nuk ka asnjë provë, madje edhe ekspertimi për shpenzimet dhe shtëpinë e mamasë së saj ishte i gabuar.
Monika Kryemadhi: Paraqita në Gjykatë edhe dy kontrata, por që nuk mund të merren sepse duhen sipas procedurës penale. Unë i dorëzova dhe është detyrë e Prokurorisë që t’i kërkojë nëpërmjet letër-porosisë në SHBA. Unë kërkova që Prokuroria të marrë në pyetje dhe të kërkojë në SHBA për personin që ka bërë deklaratat. Zoti Meta nuk ka asgjë, nuk ka asnjë firmë, asnjë mesazh në dosje. Edhe për ligjin e minierave nuk është Meta propozuesi, por është zoti Rama që e propozoi. E kërkuam nga Gjykata që të faktohet. SPAK nuk kishte asnjë provë, kërkoi kohë për materialet. Por unë i dorëzova dokumentet gjykatës, kundërshtova edhe ekspertimin e SPAK, është e paligjshme dhe e njëanshme. Ekspertimi është llogaritur dy herë sipas ekspertes, nëse unë e kam furnizuar makinën 100 herë, ata e kanë bërë 200 herë dhe kjo mund të ndodhë. Mbrojtja ime është e disponuar vetëm në dokumentet që posedon SPAK. Edhe çështja e shtëpisë së mamasë time, ka pasur një hetim administrativ më parë nga ILDKPI, por kjo nuk e pengonte SPAK të hetonte. Por para se të më akuzojnë për pastrim të produktit të veprës penale, SPAK duhet të japë provë. SPAK duhet të na thotë se çfarë vepre penale kemi kryer sepse nuk mund të jenë marrë paratë më parë. Kanë telefonin tim, mesazhet e vitit 2014. Mesazhet e mia me Edi Ramën. Bëhuni gati për Power Point, se do shfaqen, do shikoni mesazhet e mia me Edi Ramën më 2014. Se si kemi zgjedhur Erjon Veliajn për kryetar bashkie, sepse unë doja Veliajn dhe Meta donte Blendi Klosin për kandidat. Ja kemi futur Ilir Metës se donte Blendi Klosin, unë desha Erion Veliajn.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI