
TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë për deputeten e Partisë Socialiste, Olta Xhaçkën. Ishte shkalla e parë, ajo që i bëri kërkesë Strukturës së Posaçme që të regjistronte procedim penal për ish-ministren Xhaçka, pas kallëzimit të bërë nga eurodeputeti dhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri. Pasi Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK të regjistrojë procedim penal për ish-ministren Olta Xhaçka dhe për bashkëshortin e saj Artan Gaçi, Prokuroria ka ankimuar vendimin në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion. Sipas SPAK, asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiskuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 14.05.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 90 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur: “1. Pranimin e ankimit të bërë nga ankuesi Dh.A.B. 2. Detyrimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për regjistrimin e procedimit penal dhe për vazhdimin e hetimeve për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 186 287 të Kodit Penal, mbi parashtrimin e kallëzimit penal nr. 181, datë 04.09.2023, sipas pikës 42 të këtij vendimi. 3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Shfuqizimin e vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Rrëzimin e ankimit të ankuesit Dh.A.B., me objekt “Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. 22920/1 Prot., datë 27.12.2024 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale të kallëzuar dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse”.
Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Pas kallëzimit të ngritur SPAK ka vendosur nën sekuestro tokën në Dhërmi dhe ka arrestuar ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ai akuzohet për falsifikim të dokumentave dhe shpërdorim detyre.
Në lidhje me këtë çështje, dyshohet se bashkëshorti i Xhaçkës, Gaçi ka ndikuar tek regjistrimi në Kadastrën e Vlorës, pasi rezulton se është bërë pronari me letra i tokës ku do të ndërtohej resorti “Dreamades Luxury Suites” nga kompania e kunatës së Xhaçkës, e cila tashmë pezulloi kompaninë, duke ia blerë pronën Stavri Mëhillit. Pronësina e tokës nuk ka ende një zgjidhje nga drejtësia, ndërsa askush nuk është dënuar ende, pavarësisht akzuave të ngritura ndaj disa zyrtarëve. Deri më tani është marrë nën akuzë ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, pasi hetimet e SPAK treguan se Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bushin, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Bashkinë e Himarës, përcollën pranë organeve kompetente dokumenta të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqeje prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të subjektit privat, në pronësi të Foto Mëhillit, babai i Stavri Mëhillit.
Pas kësaj procedure, të dy ata kanë vijuar me transaksionet për të regjistruar sipërfaqen e tokës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gaçin. Gjithashtu, kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj u la në masën “detyrim paraqitje”, ndërsa ish juristi Vezir Gjikoka si dhe ish drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të tokës në Bashkinë Himarë në “arrest në shtëpie”. Nga ana tjetër, është shpallur në kërkim edhe Stavri Mëhilli, që dyshohet se ka kryer 2 vepra penale. Opozita nga ana tjetër kërkon që të shqyrtohet vlefshmëria e mandatit të Xhaçkës, duke argumentuar se ajo, nëpërmjet bashkëshortit Artan Gaçi, ka përfituar të mira publike, në kundërshtim me Kushtetutën./ZËRI