
TIRANË- Ajola Xoxa është rikthyer në Shqipëri për të zbatuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” të caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, e cila ndodhej në Itali është shoqëruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më herët GJKKO arrestoi Veliajn, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë.
Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa përdorën bizneset dhe OJF për të futur paratë në banka. Po ashtu, sipas SPAK, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa në 4 vite bëri 860 mijë euro blerje online veshje dhe bizhuteri. Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI