
TIRANË- Biznesmeni Elman Abule është arrestuar sot gjatë aksionit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku në pranga ra edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Abule më 9 janar u paraqit në ambientet e SPAK, ku u mor për 4 orë në pyetje. Asokohe, biznesmeni zgjodhi të heshtë për mediat dhe nuk komentoi arsyen se përse ai u thërrit nga Prokuroria e Posaçme. Abule mësohet se është pyetur në lidhje me çështjen hetimore të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndërsa, bashkëshortja e tij, Marisa Nito më 8 janar ishte në SPAK për të dhënë deklarime lidhur me hetimet. Ajo nuk pranoi të bënte asnjë koment në lidhje me dëshminë e saj.
“Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “……..” shpk””, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK
Sot, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë. Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa përdorën bizneset dhe OJF për të futur paratë në banka. Po ashtu, sipas SPAK, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa në 4 vite bëri 860 mijë euro blerje online veshje dhe bizhuteri. Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI