Aktualitet

Gjashtë ditë protestë për "Territorialen" në Divjakë, banorët kërkojnë mbështetje nga deputetët e zonës

Qytetarët u bënë thirrje deputetëve që të angazhohen drejtpërdrejt në këtë kauzë, për të penguar miratimin e këtij projektligji.

l.k
Gjashtë ditë protestë për "Territorialen" në
Pamje nga protesta

DIVJAKË- Ditën e djeshme, banorët e Divjakës u ngritën në protestë për të gjashtën ditë radhazi, duke kundërshtuar draftin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale. Gjatë tubimit në sheshin kryesor të qytetit, banorët kundërshtuan bashkimin e Divjakës me Lushnjën. Ata u kanë kërkuar deputetëve të zonës, nga të dyja krahët politikë, që të mbështesin kërkesën që Divjaka të mbetet bashki.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Qytetarët u bënë thirrje deputetëve që të angazhohen drejtpërdrejt në këtë kauzë, për të penguar miratimin e këtij projektligji.Protestuesit u shprehën se protestat nuk do të ndalen deri në tërheqjen përfundimtare të qeverisë nga plani për shkrirjen e Bashkisë Divjakë.

Në ditën e parë të protestës, edhe kryebashkiaku Josif Gorrea iu bashkua tubimit, duke kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për Divjakën. Gjatë fjalës së tij, ai tha se lajmi i kishte ardhur si një "bombë".

Deklarata e Josif Gorreas:

Ju falënderoj që jeni pjesë e këtij tubimi, për këtë lajm që na ra si bombë. Mendova se fjalën këtu do ta mbanin vetë ata, por të gjithë kanë të drejtën e tyre të flasin siç e ndiejnë. Edhe unë, si qytetar, si ju, jam vërtet i çuditur, edhe pse duhej të isha më në dijeni për shkak të pozicionit politik që kam. Por edhe mua më ra si bombë kur pashë aty edhe Bashkinë Divjakë, si një nga bashkitë që do t’i bashkohej një bashkie tjetër.

Unë mendoj se këtu jemi për një qëllim dhe qëllimi ynë i përbashkët është të mbrojmë bashkinë tonë, e cila i përket një populli të jashtëzakonshëm, ndër më punëtorët e republikës. Ky është vendi ku punohet 365 ditë të vitit. Të them të vërtetën, ndihem i tradhtuar, sepse pa asnjë paralajmërim na erdhi kjo bombë.

Në të vërtetë, kjo nismë e qeverisë ka kohë që përflitet. Komisioni i Reformës Territoriale, me përfaqësues nga të dy krahët politikë, ka shqyrtuar mundësitë se si do të vijojë kjo reformë, por, për fat të keq, ajo që ndodhi dje nuk mund të quhet reformë, sipas meje. Pse?

Sepse parimi kryesor ishte numri i popullsisë dhe unë kam fjetur i qetë, pasi bashkia jonë ka 56 mijë banorë dhe, sipas renditjes, ne jemi të 26-tët. Pra, duhej të shkriheshin edhe 27 bashki të tjera që të na vinte radha neve. Edhe sipas Censusit, bashkia ka një numër të lartë banorësh që jetojnë dhe punojnë këtu. Janë 25 mijë banorë, edhe pse kemi dyshime për këtë shifër. Megjithatë, edhe ky numër, i pranuar nga qeveria shqiptare, mbetet i lartë.

Propozimi i Partisë Socialiste synon të ulë numrin e bashkive nga 61 në 46, duke krijuar njësi vendore me territore më të mëdha, brenda të cilave do të funksionojnë qytete dhe njësi administrative që do të menaxhojnë shërbimet më pranë banorëve.

Drafti ka nxitur protesta të menjëhershme në të gjithë vendin, në bashkitë që pritet të shkrihen. Banorët kërkojnë që bashkitë e tyre të mos shkrihen, të ruajnë pavarësinë administrative dhe të mos largohen shërbimet publike nga komunitetet e tyre. Protestat kundër Reformës Territoriale janë zhvilluar deri më tani në të paktën 12 bashki.Në krah të tyre janë vendosur edhe kryetarët e bashkive që rrezikojnë të shkrihen./ZËRI

Poll

MOS HUMB