
VLORË-Gazmend Braka, i njohur ndryshe si Gaxhai ditën e djeshme ka lënë për disa orë qelinë pasi ka marrë pjesë ne varrimin e motrës. Burime nga Policia e Vlorës kanë konfirmuar se ish-drejtuesi i një prej bandave famëkeqe të vitit 1997 është shoqëruar drejt fshatit Cerkovinë nën masa të forta sigurie.
Për disa orë ka qenë i pranishëm në fshatin e tij të lindjes teksa ka marrë pjesë në varrimin e të motrës. Informacioni për praninë e Gaxhait ka qenë shumë i rezervuar ndërsa për praninë e tij ne fshatin Cerkovinë për vetëm disa ore informacionin e ka patur vetëm drejtoria e përgjithshme e policisë.
Gazmend Braka është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe vuan dënimin në burgun e Peqinit. Gaxhai ka dy dënime me burg përjetë, i pari i është dhënë për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arben Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës. Ndërsa dënimi i dytë me burg përjetë i është dhënë për vrasjen e Bashkim Dules, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zini Haruni, Robert Myftari, dhe policit Viron Rrapaj./ZËRI