
TIRANË-Pas përfundimit të dy fazave të para të përzgjedhjes për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), kandidatë do të vijojnë garën në fazën e tretë, atë të testimit fizik.
Kandidatët që do të marrin pjesë në testimin fizik janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Komisioni i Posaçëm në SPAK ka vendosur që testimi fizik të zhvillohet më 11 korrik 2025. Ky proces do të mbahet në ambientet e repartit special RENEA dhe do të mbikëqyret nga një prokuror i SPAK, si dhe përfaqësues të Universitetit të Sporteve të Tiranës. Në testin fizik përfshihen disa ushtrime, si vrap, pompa, test poligrafi dhe ushtrime të tjera fizike të qëndrueshmërisë dhe forcës.
Në fazën e parë aplikuan gjithsej 13 kandidatë dhe vetëm 7 prej tyre arritën të kalojnë në fazën e dytë.
Si zhvillohet procedura për zgjedhjen e kreut të BKH-së?
Sipas rregullores, do të ndiqen 6 hapa për emërimin e kreut të BKH-së, të cilat janë verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi për aftësitë fizike, ese me shkrim dhe test për arsyetim logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi. Pas kalimit në disa faza testimi, komisioni i ngritur në SPAK pritet t’i dërgojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e kandidatit të përzgjedhur për emërimin si kreu i ri i BKH-së. Mandati i drejtuesit të Byrosë është 5 vjet. Aktualisht, postin e kreut të BKH-së e mban Aida Hajnaj, e cila do të qëndrojë në këtë detyrë deri më 31 gusht. Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra./ZËRI