Aktualitet

Çfarë ndodhi sot në Tiranë?! Pasdite e përgjakur në kryeqytet, 10 minuta terrori: Një i vrarë dhe një i plagosur, autorët në arrati

Dy ngjarje shumë pranë njëra-tjetrës, por pa asnjë lidhje mes tyre, me një të përbashkët të vetme, autorët ende në arrati!

zh.ll
Çfarë ndodhi sot në Tiranë?! Pasdite e përgjakur
pamje nga vendngjarjet

TIRANË- Dy ngjarje të rënda kanë tronditur sot Tiranën, pasditen e kësaj të premteje. Brenda një harku kohor të 10 minutave, u shënua një viktimë dhe një i plagosur. Dy ngjarje shumë pranë njëra-tjetrës, por pa asnjë lidhje mes tyre, me një të përbashkët të vetme, autorët ende në arrati!

Në orën 15:40 u raportua vrasja me thikë e 31-vjeçarit, Egli Pashollari. Ngjarja ndodhi në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, pas një konflikti që ka agravuar nga përleshje fizike deri në agravimin e thikës. Shkaku i ngjarjes dhe rrethanat mbeten ende të paqarta, ndërsa dyshohet se shkak është bërë një vajzë. 

"Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi Egli Pashollari, rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.", njoftoi policia.

Si ndodhi ngjarja? Viktima Egli Pashollari, sapo ka dalë nga makina është sulmuar menjëherë nga 2 vëllezër, të cilëve, sipas dyshimeve, u ka ngacmuar motrën. Mësohet se gjatë përleshjes, njëri prej vëllezërve, i identifikuar si Gazmend Buçpapa, e ka goditur të paktën një herë me thikë në kurriz. Mësohet se Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali ku ndodhi ngjarja. Ndërkohë që disa persona të tjerë dhe dëshmitarë në vendngjarje e kanë nisur drejt spitalit me makinën e tij, por 31-vjeçari nuk u ka mbijetuar plagëve të marrë dhe ka humbur jetën rrugës.

Mësohet se Gazmend Buçpapa është shpallur në kërkim së bashku me 2 autorët e tjerë të sulmit. Ata janë me origjinë nga Tropoja.

Ndërkohë, vetëm pas 10 minutash, rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, u raportua një plagosje me armë zjarri. 34-vjeçari Akil Koxharxhiku dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Sërish edhe në këtë ngjarje, dyshimet e para janë se shkak u bë një vajzë. 

"Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi Akil Koxharxhiku, 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.", njoftoi policia.

Sipas burimeve, dyshohet se konflikti mes 34-vjeçarit dhe autorit ka qenë për motive xhelozie. 34-vjeçari ka qenë në një restorant në rrugën e Kavajës, duke drekuar me të fejuarën në tavolinë. Në të njëjtin ambient ka qenë edhe autori Besjan Ferazini. Ata të dy kanë debatuar me fjalë, teksa më pas autori ka nxjerë armën duke e plagosur 34-vjeçarin në bark me një plumb. Megjithatë, gjithçka deri tani mbetet nën hijen e dyshimeve, pasi deri në këto momente nuk ka detaje të tjera. 

Në të dyja ngjarjet, uniformat blu të Tiranës konfirmuan se kanë mundur t'i identifikojë autorët dhe po punohet për kapjen e tyre. 

“Policia i ka identifikuar autorët e këtyre dy ngjarjeve, të dhënat e të cilëve nuk jepen, për shkak se hetimi vijon. Punohet intensivisht për kapjen e tyre. Ndërkaq, grupet hetimore vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të rasteve dhe dokumentimin e plotë ligjor të tyre, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Të dyja ngjarjet e rënda, të ndodhura brenda pak minutash dhe në zona të afërta me njëra-tjetrën, kanë rikthyer shqetësimin për sigurinë në kryeqytet, ndërsa autorët vijojnë të jenë në arrati. Hetimet janë në zhvillim për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet, ndërsa pritet që orët në vijim të sjellin më shumë detaje nga autoritetet./ZËRI

Poll

MOS HUMB