
TIRANË- Faqet zyrtare të disa mediave online në rrjetet sociale janë përballur me kufizime në publikime, ndërsa Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ngritur shqetësimin për një valë sulmesh ndaj mediave në platformat e META-s. Mes mediave të prekura përmendet edhe ZËRI Albania, së bashku me Versus Albania, Replike Albania dhe JOQ Albania.
Në një reagim të publikuar më 16 tetor Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bën me dije se ka marrë ankesa nga përfaqësues të mediave online, të cilët kanë raportuar probleme me faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale, duke u detyruar të kufizojnë publikimet ose duke humbur aksesin e zakonshëm në këto platforma.
Sipas UGSH-së situata mund të jetë pjesë e një vale sulmesh që prek disa media, ndërsa organizata thekson se është në pritje të raportimeve të tjera për raste të ngjashme.
Për këtë situatë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u ka bërë thirrje AKEP, institucioneve përgjegjëse dhe kompanive përkatëse që të ndërhyjnë për të garantuar lirinë e komunikimit dhe funksionimin e kanaleve përmes të cilave mediat informojnë publikun.
Gjithashtu, UGSH kërkon verifikimin e mundësisë së ndërhyrjeve nga faktorë të jashtëm, me qëllim kufizimin e trafikut dhe të komunikimit të mediave me audiencat e tyre.
Reagim i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Sulmohen faqet zyrtare të disa rrjeteve sociale të mediave online
Tiranë më 16.10.2026
Pranë UGSH gjatë ditës së sotme janë paraqitur disa ankesa nga kolegë që administrojnë media të njohura online, faqet zyrtare të të cilave në hapësirat e rrjeteve sociale janë detyruar të kufizojnë publikimet.
Sipas këtyre raportimeve, ekziston një valë sulmi ndaj shumë mediave të reja në META.
Për shkak të kësi sulmesh disa faqe të mediave si Versus Albania, Replike Albania. jOQ Albania, Zeri Albania, etj. ( Jemi në pritje të raportimeve të tjera për kësi sulmesh), janë mbylluar ose kanë reduktuar publikimet.
UGSH apelon pranë AKEP dhe institucioneve që mundësojnë rregullimet në akseset e hapësirave virtuale dhe kompanitë përkatëse, të reagojnë, duke mundësuar lirinë e komunikimit në të gjitha kanalet dhe rrjetet e njohura si hapësira opcionale të mediave të reja informuese.
Në të njëjtën kohë, kërkojmë verifikimin e mundësisë së ndërhyrjeve prej faktorëve të jashtëm për qëllime kufizimi të trafikut dhe marrëdhënies me audiencat e tyre.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë/ZËRI