Aktualitet

Veliaj në paraburgimin e Durrësit, edhe nga qelia nxit debate PS-PD

GJKKO vendosi ta lejë në burg kryebashkiakun e Tiranës pas një seance maratonë prej rreth 7 orësh një ditë më parë.

F.I
Veliaj në paraburgimin e Durrësit, edhe nga qelia nxit debate PS-PD
PAMJE NGA NGJARJA

DURRËS- Kryebashkiaku Erion Veliaj, pas rikonfirmimit të masës arrest në burg ditën e djeshme nga GJKKO ka mbërritur në ambjenetet e paraburgimit të Durrësit. Veliaj do të qëndrojë aty deri në përfundimin e hetimeve. Në IEVP-në e Durrësit po qëndron edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj si dhe një pjesë e zyrtarëve të lartë të vënë në pranga. 

Veliaj pritej të dërgohej pas verifikimit të masës së sigurisë në “Burgun 313”, por kjo nuk ndodhi. Vendosja e kryebashkiakut në IEVP-në e Durrësit, solli reagimin e opozitës, ku kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se Veliaj u transferua në Durrës me qëllim që ti bëhet presion për të mos folur. Ai thekson se është ndjekur e njëjta formulë si me Lefter Kokën. Ndërkohë kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se beteja ligjore e Veliajt nuk ishte as e tija dhe as e Partisë Socialiste. Madje lajmëroi edhe se nuk ka ndërmend që të shkojë dhe të vizitojë në burg kryedemokratin.

Çfarë ndodhi në seancë?

Në seancë, kryebashkiaku Erion Veliaj mbrojti veten duke deklaruar se ka ushtruar vetëm detyrën dhe se për këtë arsye, është bërë objekt sulmi. Ai mohoi të ketë vilë në Qerret, duke pretenduar se ajo i takon nënës së Ajola Xoxës, ndërsa mbrojti bashkëshorten e tij. Po ashtu, Veliaj debatoi me prokrorin e çështjes, Ols Dadon, duke e akuzuar se është në konflikt interesi sepse ka marrë leje në Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e një pallati.

Avokatët mbrojtës kërkuan masë më të buta sigurie për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj duke ofruar garanci pasurore si dhe ndryshimin e masës së sigurisë për Ajola Xoxën. Ndërkohë prokurorët kërkuan lënien në fuqi të masave të sigurisë të marra nga ky gjyqtar më 9 shkurt 2025.

GJKKO vendosi ta lejë në burg kryebashkiakun e Tiranës pas një seance maratonë prej rreth 7 orësh një ditë më parë. Masa ndryshoi vetëm për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa e cila nga arrest shtëpie u la në detyrim paraqitje dy herë në muaj, si dhe i është marrë pasaporta. Pas kësaj faze, Veliaj pritet të bëjë ankimimin e vendimit dhe kërkojë ndryshimin e masës së arrestit. Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv në nëntë raste. Një tjetër akuzë është edhe ajo e pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave dhe mosdeklarim të pasurisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB