TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe ka publikuar sot një mesazh nga grupi i agjentëve të plaformave online TXEX dhe XEUX që po zhvasin qytetarët në Divjakë.
Braçe paralajmëron qytetarët të qëndrojnë larg këtyre skemave priamidale, teksa është shprehur se tani është i qartë se kush fshihet pas këtyre skemave. Ndër të tjera është shprehur se Leo Smith është rroboti që po zhvat njerëzit, ndërsa shoqja e tij Joana që është person real dhe një nga agjentët e grupit EG-19.
“Ky është Leo Smith, profesori që ka zhytur në piramidë Divjakën e Lushnjën, edhe më gjerë. Është një situatë surreale në çdo klub, kafene, restorant, berberhane grash e burrash, shtëpi në Divjakë e Lushnjë. Fëmijë, të rinj, të rritur, të moshuar që rrinë në telefon në dorë e presin sinjal nga profesori Leo Smith. Tmerr! Leo Smith nuk ekziston, është robot, ndryshe nga Joana”-shprehet ai në video.
Zëri publikoi pak ditë më parë të dhëna dhe detaje nga këto skema priamidale ku janë përfshirë 6000 qytetarë, sidomos në zonën e Divjakës dhe në Lezhë, por deri më tani nuk ka asnjë denoncim në polici nga qytetarët, duke bërë që kjo skemë piramidale nuk ka arritur ende kulmin e saj. Dyshohet se ideatori i kësaj skeme është një shtetas kinez, por deri më tani, për autoritetet shqiptare është tejet e vështirë identifikimi i tij, për shkak të përdorimit të kanaleve në telegram dhe mungesës së gjendshmërisë.
Lidhur me këtë situatë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) është shprehur se këto platforma për investime në kriptovaluta, nuk janë të regjistruara dhe të licensuara në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar.Po ashtu Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, njoftoi se ka nisur një hetim penal lidhur me këto skema piramidale./ZËRI
