
FRANCË- Një 40-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Elis Alijaj, është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 24 shkurtit, përpara shtëpisë së tij në Angoulême (Charente). Alijaj u fut në furgonin e tij dhe në momentin që do të nisej për në punë, një automjet ndaloi paralelisht me të dhe e qëlloi me breshëri plumbash.
Dëshmitare e vrasjes u bë edhe partnerja e Alijajt e cila ndodhej në portën e jashtme të shtëpisë. Fqinjët tregojnë se ajo nisi të bërtiste dhe madje e ndoqi automjetin e autorëve që u largua pasi kreu krimin. Në shtëpi ishin dy fëmijët e çiftit.
“Elis Alijaj u godit tre herë, në këmbë dhe në gjoks, në ngjarje që ngjajnë me një akt “krimi të strukturuar”,”- deklaroi komisioneri Jean-Luc Taltavull.
Makina e autorëve u gjet e djegur disa orë më vonë dhe brenda saj ishte automatiku me të cilin u krye vrasja.
Shqiptari ishte me profesion inxhinier dhe përshkruhet nga banorët e lagjes si një person i qetë dhe i pëlqyer nga të gjithë. Prindërit e Elisit ishin vendosur në Angoulême shumë kohë më parë. Babai i familjes kishte arritur të vlerësohej për mirësinë dhe dashamirësinë e tij.
“Ai ishte personi më i këndshëm në botë, i sjellshëm, i dobishëm", tha një fqinj.
“Njerëz simpatikë, pa probleme, të integruar mirë që jetonin në paqe me fëmijët e tyre”, shton një mik i ngushtë i familjes.
"Është një tronditje totale,”- shtoi një tjetër.
Duke marrë parasysh përshtypjen e mirë që kishte krijuar në komunitet, arsyet e këtij ekzekutimi janë të paqarta./ZËRI