
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur mbrëmjen e djeshme (12 janar) në Tiranë, në zonën e “Pallatit me Shigjeta”, ku i vrarë mbeti Bujar Nasufi 56 vjeç. Grupi hetimor ka sekuestruar disa kamera sigurie ku duket autori i krimit, i cili me kapuç është munduar që të fshehë identitetin e tij.
Biznesmeni u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij, pasi kjo e fundit ishte brenda mjetit në momentin kur autori afrohet dhe e qëllon duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se autori i maskuar dyshohet se e ka pritur përpara banesës, ku dhe është kryer ekzekutimi. Viktima është qëlluar nga një distancë e afërt, ku si pasojë ka marrë dy plumba në gjoks. Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja, të cilat besohet se i përkasin armës me të cilën është vrarë Nasufi.
Kanë qenë dy automjete, një e viktimës dhe tjetra e vëllait të tij që janë afruar në banesë, pasi të dyja familjet jetojnë në një godinë, pallat që e kanë ndërtuar para disa vitesh. Fillimisht në rrugicë ka hyrë mjeti i të vëllait, ndërsa pas mjeti i viktimës. Sapo ky i fundit dhe ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar, më pas është larguar me motor.
Bujar Nasufi ishte një person pa precedent penalë. Ai ishte biznesmen dhe kishte në zotërim një mobileri. Biznesin e administronte bashkë me të vëllanë, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë zonës ku dhe ndodhi vrasja. Aktualisht pista kryesore e hetimeve është konflikti në rrethin familjar. Sipas fqinjëve viktima ka qenë person i qetë dhe nuk kishte konfliktej dhe bënte një jetë normale./ZËRI