
LEZHË-Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 64-vjeçarit Gjovalin Prendi mbrëmjen e 17 prillit në Pllanë të Lezhës. Një automjet i djegur është gjetur ditën e sotme rreth 300 metra larg autostradës pranë një kanali në afërsi të fshatit Fushë Gjorm. Ky automjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët e vrasjes së Gjovalin Prendit, babait të Roan Brahimit alias Sidorel Prendi, i cili u ekzekutua më 9 maj të 2024 në Greqi.
Dyshohet se kanë qenë 4 autorë, të cilët kanë lëvizur me automjet tip Porche. Dy prej tyre të maskuar kanë dalë nga makina ndërsa njëri ka qëlluar me breshëri automatiku në distancë të afërt. Gjovalin Prendi ndodhej ne pjesën e verandës të lokalit të tij. Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje deri më tani mbi 10 persona.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, pasi djali i viktimës Roan Brahimi, i cili u vra në maj të vitit 2024 në Greqi, është përfshirë në disa ngjarje kriminale. Krimi ndodhi në sy të gruas së tij të dytë dhe djalit të vogël në një zonë të populluar në lagjen Vyronas të Athinës.
Roan Brahimaj u vra më 9 maj të 2024 në Greqi, teksa ishte në mjet me të shoqen, e cila po ashtu mbeti e plagosur. 32-vjeçari nuk është një emër i panjohur për botën e krimit në Shqipëri pasi konsiderohet si rivali i të zhdukurit Ervis Martinaj. Roan Brahimi është një nga personat që dyshohet se ka pasur gisht në antetatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku vdiq Klisman Preçi. Ai njihej edhe me emrin Sidorel Prendi. Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinaj dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 korrik 2022. Por pozita e tij lidhur me këtë ngjarje nuk u zbardh, ose të paktën deri më tani. Megjithatë duket se e shkuara dhe hakmarrja për borxhet e bixhozit e kanë ndjekur edhe në Greqi, atje ku bashkë me të shoqen po prisnin të merrnin fëmijën nga parku./ZËRI