TIRANË- 18-vjeçarja Natalia Murtati e cila u vetëplagos me armë zjarri pas mesnate ndodhet në gjendje stabël në spitalin e Traumës, koshiente. Ngjarja ndodhi në hotel "Gjuta", ku ndodhej me të dashurin e saj, Erisjaldo Gjuta, aktualisht në kërkim nga policia.
E reja i është nënshtruar një operacioni në kraharor gjatë natës dhe mjekët i kanë hequr predhën e plumbit. Në dëshminë e dhënë pasi është përmendur është shprehur se "kam gabime në jetë dhe desha të vras veten", por pa dhënë detaje të tjera për rrethanat që çuan të ndërmarrë aktin. Megjithatë, 18-vjeçarja do të merret në pyetje sërish, në një moment të dytë kur të ketë dalë nga salla e reanimacionit.
Nga ana tjetër, janë marrë në pyetje edhe anëtarët e familjes Gjuta, të cilët kanë fshehur ngjarjen. Nëna e të dashurit të 18-vjeçares, Natalia Murtati, dhe nipi i saj e kanë dërguar vajzën në spital duke thënë se e kanë gjetur në rrugë të plagosur dhe e kanë ndihmuar, duke mos dashur që të tregojnë se ngjarja ka ndodhur në hotelin e tyre. Por, pas hetimit, rezultoi se vajza në fakt ishte vetëplagosur në hotelin e tyre.
Paraprakisht, ata kanë deklaruar se vajza mund të vdiste dhe për shkak se tentativa për vetëvrasje ndodhi në biznesin e tyre, kishin frikë se do t'u faturohej atyre autorësia.
Dinamika e ngjarjes:
Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë, teksa paraprakisht dyshohet për vetëplagosje, ndërsa rolet e të përfshirëve të tjerë, pritet të zbulohet nga hetimet e mëtejshme.
Çfarë ndodhi pak pas mesanate, 13 shkurt? 18-vjeçarja Natalia Murati, e dashura e nipit të Vladimir Gjutës, ka qenë në hotel "Gjuta" me 22-vjeçarin, Erisjaldo Gjuta. Ky i fundit, nuk ndodhej në dhomë në ato momente. Ai ka qenë jashtë së bashku me babanë e tij, Sajmir Gjuta, të cilët kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë shkuar te dhoma. Menjëherë më pas, në dhomën e hotelit ku është regjistruar ngjarja ka shkuar dhe xhaxhai i 22-vjeçarit, Vladimir Gjuta, Mirvete Rexhmati (Gjuta), e cila është nëna e 22 vjeçarit dhe kushëriri Elvir Gjuta. Këtë dy të fundit, e kanë marrë vajzën dhe e kanë dërguar me urgjencë në spital. Ndërkohë që më herët, bashkë me të tjerët kanë pastruar vendin e ngjarjes, kanë marrë e fshehur armën dhe kanë larë gjakun për të fshehur gjurmët.
Mirvete dhe Elvir Gjuta janë porositur të deklarojnë që “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”. Pas hetimit, rezultoi se vajza në fakt ishte vetëplagosur në hotelin e tyre. Aktualisht në pranga kanë rënë Mirvete dhe Vladimir Gjuta (nëna dhe xhaxhai i 22-vjeçarit). Ndërsa në kërkim vijojnë të jenë: Sajmir Gjuta, Erisjaldo Gjuta (babë e bir) dhe Elvir Gjuta(kushuri me 22-vjeçarin). Këta shtetas akuzohen për moskallëzim krimi. /ZËRI