
TIRANË- SPAK ka 'prerë' 21 masa sigurie pas aksionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm në Elbasan. Nga 18 urdhërarreste të prera nga SPAK, janë ekzekutuar vetëm disa prej tyre, ku në mesin e të arrestuarve, është Marsel alias Bujar Shega, administrator i dy kompanive "Viola Green" dhe "Wonder Green". Mësohet se Shega është prangosur në Milano.
"Viola-Green SHPK” është themeluar në vitin 2015. Ka si objekt pastrimin dhe përpunimin e mbetjeve. Kompania është në pronësi të Fatos Jaupit me 33% të aksioneve, Marsel Shega ka 34% të aksioneve dhe Sherif Kapllani 33% të aksioneve. Por Marsel Shega është administrator i kompanisë. Ndërsa kompania tjetër "Wonder Green", është në pronësi të Marsel Shegës me 50%; dhe pjesën tjetër e ka Zehni Demo.
Përmes kompanisë së fundit, Shega nuk ka përfituar fonde publike, ndërsa përmes "Viola Green" ka fituar 10 tendera i vetëm dhe 4 të tjerë në bashkëpunim me "Bardhi shpk".
Shega, që njihet ndryshe edhe si Marsel Shega, është i skeduar për lidhje me trafikun e drogës me Suel Çelën. Në një dosje të Prokurorisë së Elbasanit, e publikuar nga "INA Media", Shega dyshohet se është pjesë e një hetimi të hapur për pastrim parash në vitin 2018. Personi, që bëhet shkaktar për nisjen e këtij procedimi, është Emiliano Shega, kushëri i Bujar Shegës, si person i bashkëlidhur me të është edhe i vëllai, Gentian Hoxha (Shega).Ky hetim dyshon për një rrjet trafikimi të kokainës nga Guayaquil, Ekuador, drejt Europës, i cili dyshohet se drejtohet nga Gentian Hoxha.
"SPAK pranon se është në dijeni që ka një hetim pastrimi parash nga Elbasani për të gjithë personat e lartpërmendur, por që nuk është ende në dijeni për një vendimmarrje nga Prokuroria e Elbasanit. Kartela e Emiliano Shegës evidenton se ai ishte arrestuar në vitin 2009 në Londër dhe ishte dënuar me dhjetë vjet burg për trafikim narkotikësh. Në krye të katër viteve e katër muajve dënim, Shega u deportua nga Mbretëria e Bashkuar,"-shkruhej në artikullin e "Ina Media-s".
Po ashtu, ky procedim (nr. 1440) është pezulluar nga Prokuroria e Elbasanit, OFL referoi në SPAK sekuestrim të 14 pasurive të vëllezërve Shega, Emiliano dhe Gentian.
Ndërsa gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Shega njihet për njohje dhe lidhje të forta në politikë. Sipas saj, përmes kompanive të tij, dyshohet se Shega pastronte paratë e disa grupeve, përfshirë dhe një grupi të fuqishëm më bazë me Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme./ZËRI