Aktualitet

Dyshime për shitblerje votash, Policia nis hetimet për 4 persona, mes tyre edhe kandidati i PD-së Xhemal Gjunkshi

Policia e ka referuar ngjarjen në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërsa në hetim janë përfshirë edhe veprat “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”.

I.F
Dyshime për shitblerje votash, Policia nis hetimet për 4 persona, mes
Pamje nga vendngjarja

DIBËR- Policia e Dibrës ka njoftuar se gjatë mbrëmjes së djeshme ka marrë një telefonatë denoncimi nga kandidati për deputet demokrat, Xhemal Gjunkshi duke pretenduar se përfaqësues të Partisë Socialiste po shpërndanin para në këmbim të votave në njësinë administrative Maqellarë. Nisur nga ky denoncim, Policia e ka referuar ngjarjen në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërsa në hetim janë përfshirë edhe veprat “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”.

Nën hetim janë A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xhemal Gjunkshi, 62 vjeç (kandidati denoncues i PD-së) dhe E.Gj., 33 vjeç./ZËRI

"Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15,  në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave,  banorëve të kësaj njësie.

Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe  Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.

Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç;  Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç", njofton Policia e Dibrës./ZËRI

Poll

MOS HUMB