DURRËS-Banorët e zonës së Spitallës dhe të afërm të dy fëmijëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të 3 majit kanë dalë në protestë ndërsa kërkojnë drejtësi për vdekjen e dy të miturve. Qytetarët kanë marshuar nga Drejtoria e Policisë në drejtim të Bashkisë së Durrësit, teksa kërkojnë më shumë siguri dhe kontrolle nga ana e Policisë në rrugët e qytetit.
“Dy jetë të mitura u fikën, ku është drejtësia?", “Kjo plagë nuk mbyllet pa drejtësi”; “Ne duam drejtësi për dy engjëjt”; “Dy engjëjt në qiell nuk ishin vetëm numra, ishin fëmijë”; “Duam park për fëmijët”-këto janë disa nga mesazhet në disa pankarta që mbajnë në duar.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në lagjen nr. 15 të Durrësit, ku tre fëmijë po luanin me top në trotuar, kur automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari, Nikoll Radaçi i ka përplasur ndërsa po lëvizte me shpejtësi të lartë. Si pasojë e aksidentit, dy fëmijë të moshave 12 dhe 10 vjeç humbën jetën, ndërsa një tjetër 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë, por arriti të mbijetojë dhe e ka kaluar rrezikun për jetën.