
TIRANË- Vazhdon gjyqi për "Plumbin e artë"! Në seancën e sotme të dosjes "Plumbi i artë", bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani është marrë në pyetje nga avokati i Fatos Gosës, i cili akuzohet se ka qenë informatori i vrasësve me pagesë të Andi Zylyfit. Në përballjen me avokatin, Dumani ka treguar edhe njëherë rrethanat e njohjes me Talo Çelën, e po ashtu se Mikel Kamami i kishte ofruar 2 milionë euro për vrasjen e Erion Alibejt. Më shumë është ndalur në rrëfimin për tentativën e ekzekutimit ndaj "Otit të Elbasanit", Elton Kila. Dumani pretendon se për vrasjen e biznesmenit që nuk u finalizua ishte paguar nga Suel Çela, ndërsa shtoi se ky i fundit e kishte nxjerrë në pritë ditën kur u plagos. Sipas tij, Çela i kishte dhënë informacion për vrasjen e Kilës, por në fakt atje e priste Talo Çela për ta ekzekutuar.
Kur u ndal më gjatë në planin për vrasjen e Zylyfit, pati edhe ndërhyrje nga Fatos Gosa. Ky i fundit kundërshtoi me forcë akuzat dhe deklaratat e Dumanit.
"Jam kot këtu unë. Ta dëgjojnë të gjithë. Nuk kam lidhje. Nuk e kam takuar asnjëherë atë njeri. Vetëm drejtësi dua. Asgjë tjetër. Nuk dua mëshirë. Është gjynah mo,"- tha Gosa me tone të larta nga kafazi i sallës së gjyqit.
PJESË NGA DËSHMIA NË SALLË:
Avokati i Fatos Gosës, Parparim Kulluri pyetje për Nuredin Dumanin: Si jeni arrestuar herën e fundit? Pse nuk e vratë Otin e Elbasanit?
Nuredin Dumani: Sepse Oti nuk ishte as në Elbasan as në Shqipëri. Mua më kishte nxjerrë në pritë Sueli. Henrik Hoxha ishte me një E Class të marrë me qira në Fier. Henrik Hoxha komunikonte shpesh me Suel Çelën me Matrix dhe me një program tjetër. Unë me Suel Çelën kam folur vetëm në momentin e atentatit, do dalin të gjitha në Matrix.
Avokati Përparim Kulluri: Çfarë ju ka premtuar prokuroria për marrëveshjen e bashkëpunimit?
Nuredin Dumani: Nuk më ka bërë njeri presion për të bërë marrëveshjen me prokurorinë. Unë kam treguar, prokuroria nuk më ka premtuar gjë. Nuk kam çfarë të marr në këmbim.
Avokati Përparim Kulluri: Kur e njohe Talo Çelën?
Nuredin Dumani: Me Talo Çelën jam njohur në fund 2009-2010, përmes Ilirjan Feçit. Me Talon i prisha marrëdhëniet sepse ai do vriste vëllain tim. Fatos Gosën e kam takuar dy herë. E kam parë disa herë. Talo Çela më ka thënë që komunikonte me Fatos Gosën me telefon të kriptuar. Me Talo Çelën takimin e fundit e kemi bërë në shtëpinë time, në 2019, ose fillimi i 2020. Kam folur me të në telefon, kjo është në Sky ECC. Ka qenë vera e 2020. Që prej atëherë nuk kam më komunikim. Ai më kërkoi të vrisja Erjon Alibej për 2 milionë euro. E kam takuar Fatos Gosën te “Pishat” në Peqin. Zonën nga Rrogozhina në Elbasan e njoh shumë mirë. Unë kam qenë me makinë të vogël, 2-3 minuta ndenja. Ika për Durrës pastaj. Fatosin e njihja edhe më përpara. Pas daljes time nga burgu u takuam për herë të parë.
Avokati Përparim Kulluri: Si jeni arrestuar?
Nuredin Dumani: Isha i plagosur.
Avokati Përparim Kulluri: Keni thënë se do vrisnit Otin? Pse nuk e vratë?
Nuredin Dumani: Sepse nuk ishte në Elbasan.
Avokati Përparim Kulluri: Pse i thatë Suel Çelës "më vranë" dhe pastaj "më vratë"?
Nuredin Dumani: Sepse vetëm ai e dinte që unë isha aty.
Avokati Përparim Kulluri: Pse i jeni drejtuar Suel Çelës me fjalën "më vratë" në Sky. Pse ja atribuon tentativën e vrasjes Suel Çelës?
Nuredin Dumani: Mua më ka nxjerrë në pritë Sueli. Unë kam shkuar atë ditë në Elbasan bashkë me Henrik Hoxhën të vrisnim Ot Kilën. Shkuam me dy makina, por ai nuk ishte fare në Elbasan.
Henriku komunikonte vazhdimisht me Suel Çelën. Unë vetëm pas atentatin i shkruaja. Më pas nuk kam komunikuar më edhe pse ai ka kërkuar. Do zbardhet Matriksi e do dalin.
Avokati Përparim Kulluri: Pse e bëre marrëveshjen me prokurorinë?
Nuredin Dumani: Se atëherë mu hapën sytë.
Avokati Përparim Kulluri: Çfarë ju ka premtuar prokuroria për marrëveshjen e bashkëpunimit?
Nuredin Dumani: Asnjë gjë.
Avokati Përparim Kulluri: Kur e njohe Talo Çelën?
Nuredin Dumani: Fundi i 2009 fillim 2010. Jam njohur nga Ilirjan Feçi.
Avokati Përparim Kulluri: Pse u prishën marrëdhëniet me Talo Çelën?
Nuredin Dumani: Ai ka urdhëruar Altin Ndocin të vrasë vëllain tim.
Avokati Përparim Kulluri: A ka ndenjur makina që u përdor në vrasjen e Andi Zylyfit në garazhin tënd?
Nuredin Dumani: Po. Ka qenë një makinë që e kishte vjedhur më parë Altin Ndoci.
Avokati Përparim Kulluri: A është përdorur në ngjarje tjetër?
Nuredin Dumani: Po për një ngjarje tjetër në Spitallë. Porositës ishte Baca, Gim Kabashi.
Avokati Përparim Kulluri: Keni pretenduar se Fatos Gosa ka qenë informator tek vrasja e Andi Zylyfit?
Nuredin Dumani: Po ka qenë. E kam paguar.
Avokati Përparim Kulluri: Si ka informuar Gosa?
Nuredin Dumani: Me telefon të enkriptuar. Fliste Talo Çela me të.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyECC": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.
Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI